Ndërlidhjet

Braathu: Procesi i votimit në komunat me shumicë serbe, i qetë


Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu duke vizituar vendvotimet në Mitrovicë të Veriut.

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Jan Braathu, vizitoi vendvotimet në Mitrovicën e Veriut dhe tha se procesi i votimit është duke shkuar qetë dhe pa probleme.

Të dielën, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, qytetarët me nënshtetësi serbe po votojnë për zgjedhjet e përgjithshme në Serbi. Procesi i grumbullimit të votave, po bëhet nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Ambasadori Braathu tha se pjesëmarrja në votime është e lartë, mbi 40 për qind në Mitrovicë të Veriut dhe mbi 55 për qind në Komunën e Leposaviqit.

Sipas tij, janë duke u respektuar masat mbrojtëse kundër sëmundjes Covid-19 që e shkakton koronavrusi, pasi siç tha Braathu, OSBE-ja ka siguruar maska për të gjithë votuesit dhe shtoi se respektimi i distancës fizike nganjëherë “është pak i vështirë” të respektohet.

“Por, unë mendoj se po shkon shumë mirë. Përveç kësaj, ne po ndjekim procedurën si në vitin 2017, për të cilën janë pajtuar Prishtina dhe Beogradi”, tha Braathu, duke iu referuar një marrëveshjeje, për lejimin e “grumbullimit” të votave për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

OSBE-ja, sipas Braathu, ka regjistruar dy incidente të vogla, por stafi ka reaguar me kohë dhe problemet janë zgjidhur.

Lidhur me votimet grupore në Mitrovicë të Veriut, ku qytetarët u shoqëruan nga liderët politikë serbë, dhe ku nuk u respektua distanca fizike, Brathuu tha se OSBE-ja nuk është polici dhe nuk mund të ndalojë njerëzit.

“Ne kishim udhëzime të qarta për stafin tonë, që të inkurajojnë njerëzit të mbajnë distancën. Jam i vetëdijshëm që në këtë rast kjo nuk u respektua, por ne nuk mund të bëjmë më shumë se kaq”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Jan Braathu.

Njëzetë qendra “grumbulluese” të votave janë hapur në Kosovë në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Votat më pas OSBE-ja do t’i transportojë në Rashkë dhe Vrajë të Serbisë, ku dhe do të numërohen.

Të drejtë vote në zgjedhjet e Serbisë kanë 95,334 qytetarë me nënshtetësi serbe që jetojnë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG