Ndërlidhjet

Thaçi: Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë më shumë deputetë që do të mbrojnë të drejtat e tyre në Parlamentin e Serbisë.

Ai i ka bërë këto komente pas zgjedheve të mbajtura në Serbi më 21 qershor.

“Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, ka thënë Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Të dhënat preliminare tregojnë se Alternativa Demokratike Shqiptare, ka fituar 0.9 për qind të votave në këtë proces zgjedhor.

Për herë të parë, pesë parti shqiptare nga komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kanë marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme serbe në një listë zgjedhore.

Partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kanë arritur marrëveshje në fillim të këtij viti që të marrin pjesë në zgjedhje në një listë të përbashkët.

Përndryshe, rezultatet e fundit zgjedhore tregojnë se Partia Progresiste Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pritet të fitojë 63 për qind të votave.

Ky rezultat vjen pas thirrjeve për bojkot të zgjedhjeve nga një aleancë opozitare si dhe nga shqetësimet lidhur me pandeminë e koronavirusit.

XS
SM
MD
LG