Ndërlidhjet

Lajçak në Beograd: Dialogu të vazhdojë pa vonesa


Ilustrim
Ilustrim

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak deklaroi se pret që negociatat të vazhdojë në muajin korrik në Bruksel.

Lajçak i bëri komentet pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

"Unë jam i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të vazhduar dialogun pa vonesë të mëtejshme dhe për t'i ndihmuar të dy palët të punojnë në një marrëveshje që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha çështjet, dhe e cila do të jetë e pranueshme si për rajonin ashtu edhe për Bashkimin Evropian", tha Lajçak.

Duke deklaruar se e ardhmja e Serbisë është evropiane, Lajçak theksoi se ajo është e lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Presidenti Vuçiq tha se Serbia pret vazhdimin e dialogut me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, mbase në korrik, por se i takon Lajçakut të caktojë një datë.

Më herët, burime jozyrtare në Prishtinë dhe Bruksel, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë mundësinë e vazhdimit të enjten të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Hoti të hënën në mbrëmje e konfirmoi vizitën në Bruksel, por jo edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ai tha se do të zhvillojë takime me kryetaren e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, Komisionarin për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe zyrtarë tjerë evropianë.

"Do të bisedojmë përhapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, mbështetjen nga ana e KE-së për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë", ka thënë kryeministri Hoti.


Presidenti Vuçiq duke u përgjigjur për mundësinë e rifillimit të dialogut të enjten, tha se nuk ekziston një pajtim i tillë, por nuk e mohoi mundësinë që pala serbe të shkojë në Bruksel.

"Nëse më pyet për këtë, ne nuk e kemi atë pajtim. Pra, ata do të shkojnë vetëm, ne do të shkojmë vetëm dhe në ditë të ndryshme me sa kuptoj", tha Vuçiq.

Ai deklaroi se shpresonte që pas vizitës në Moskë më 23 qershor dhe para se të nisej për në Uashington, ai do të ketë mundësi për të vizituar Brukselin, sepse, siç tha, "është shumë e rëndësishme që ta dërgojmë edhe aty mesazhin lidhur me angazhimin evropian të Serbisë".

I dërguari evropian, Lajçak tha në Prishtinë javën e kaluar se ai i dinte datat e dialogut, por se ai do t'i bënte publike ato pas konsultimit me palët. Ai pas bisedimeve me zyrtarët e lartë shtetërorë tha se askush nuk mund t'i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së, andaj sipas tij, blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, të thirrur nga i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell, Lajçak tha se ka dëgjuar për atë iniciativë, “por që ata nuk ishin këshilluar për të dhe nuk komentoj iniciativat e të tjerëve”.

Ndërkohë, shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë së zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale, do të jenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, të paralajmëruar për 27 qershor.

Vazhdimi i bisedimeve në Bruksel do të shënojë rifillimin zyrtar të dialogut, i cili është pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të vendosjes së taksës prej 100 përqind të mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovinën nga ish qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Taksa u shfuqizua më pas, sikurse edhe masat e reciprocitetit që u vendosën nga qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurtit.

Muhaxhiri: Ftesa e Brukselit nuk do të ketë efekte të mëdha

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i dialogut në Bruksel është një veprim i pritshëm nga ana e BE-së, pasi sipas tij, iniciativa energjike amerikane "duket se i zuri në befasi evropianët".

"Prandaj edhe kjo ftesë për këtë takim kaq të shpejtë është e pritshme pasi në të kundërten BE-ja do të konsiderohej si një institucion tejet pasiv në raport me investimin e madh që është bërë që nga viti 2011 në dialog dhe kjo ftesë e ambasadorit Lajçak është e pritur mirëpo efektet e saj nuk do të jenë shumë të mëdha. Tani SHBA-ja e ka inciviativën dhe ajo do ta diktojë edhe mënyrën e zhvillimit të etapës së fundit të dialogut", ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, të dyja iniciativat -evropiane dhe ajo amerikane - qojnë në të njëjtin drejtim, që është etapa e fundit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Muhaxhiri pret që në javët e ardhshme të ketë zhvillime edhe më të hovshme për dialogun Kosovë-Serbi.

XS
SM
MD
LG