Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës dështon të ratifikojë disa marrëveshje ndërkombëtare financiare


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të ratifikojë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare pasi partitë opozitare nuk pranuan t’i votojnë ato.

Në mungesë të kuorumit, seanca është shtyrë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se këto marrëveshje ndërkombëtare janë edhe të qeverive paraprake dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës, sa ka qenë në opozitë, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për votimin e këtyre marrëveshjeve. Prandaj, ai kundërshtoi pretendimet se kjo parti, derisa ka qenë në opozitë, ka qenë kundër këtyre marrëveshjeve.

“Këto marrëveshje mundësojnë realizimin në praktikë të pakos për rimëkëmbje ekonomike”, tha Hoti.

Por, deputetët partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kundërshtuan ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

Shefi i grupit parlamentarë të PDK-së, Bedri Hamza, akuzoi partitë në pushtet për mungesë të bashkëpunimit.

“Pritoritetet i keni pasur të gabuara. Nuk i keni sjellë në kohë për miratim nuk keni ofru bashkëpunim për temat e rëndësishme në këtë Kuvend”, tha Hamza.

Deputetët e Vetëvendosjes akuzuan partitë në pushtet për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosja në kohën e pandemisë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala tha se opozita ka të drejtë të votojë kundër, por duhet të ketë argumente me të cilat i kundërshton marrëveshjet ndërkombëtare.

Në rend dite për ratifikim në Kuvend, ndër të tjera, ishin: Marrëveshja për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Marrëveshja për Hua ndërmjet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, dhe Marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovësmbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhet miratimi 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, apo 80 vota.

Vonesat që po krijohen në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, do të mund të pamundësojnë tejkalimin e problemeve ekonomike dhe sociale që u krijuan nga pandemia Covid-19, kanë thënë ekspertë të ekonomisë.

Sipas tyre, Kosova po futet në një krizë të thellë ekonomike të shkaktuar nga masat që u morën për të frenuar përhapjen e koronavirusit, nëse nuk do të mund të arrijë t’i fusë në funksion këto fonde, që dalin nga ratifikimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është shqetësuese mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve, pasi që këto mjete financiare të këtyre marrëveshjeve, janë të domosdoshme për rimëkëmbje ekonomike.

Gërxhaliu thotë se autoritetet duhet të marrin hapa urgjent për të sanuar problemet ekonomike, pasi që ekonomia e Kosovës është në një situatë mjaft të vështirë.

XS
SM
MD
LG