Ndërlidhjet

Meta dhe Rama reagojnë pas ngritjes së aktakuzës kundër Thaçit dhe Veselit


Flamuri shqiptar.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se beson në pafajësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Meta ka shkruar se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të (v.j. liderit serb, Sllobodan) Millosheviqit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.

“Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndërkohë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se është në krah të atyre që luftuan “për të çprangosur Kosovën e burgosur nga ferri i Sllobodan Millosheviqit”.

“Që kur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”, ka thënë mes tjerash ai.

Reagimi i liderëve shqiptarë ka ardhur pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të mërkurën se, më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Pas njoftimit për ngritje të aktakuzave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndërprerë udhëtimin e tij në Uashington, ku ishte planifikuar të zhvillohej një takim me zyrtarët serbë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Për më shumë rreth kësaj teme klikoni këtu.

XS
SM
MD
LG