Ndërlidhjet

Osmani: Kosovës i duhet drejtësi


Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar pas publikimit të aktakuzës së Prokurorit të Specializuar, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosovës i duhet drejtësi.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sipas saj, “Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë”.

“Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë”, ka deklaruar Osmani.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Pas njoftimit për ngritje të aktakuzave, presidenti Thaçi, ka anuluar vizitën e tij në Uashington, ku ishte planifikuar të zhvillohej një takim me zyrtarët serbë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG