Ndërlidhjet

SHBA-ja ka "problem serioz" me rritjen e numrit të infektimeve me koronavirus


Anthony Fauci.
Anthony Fauci.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive në Shtetet e Bashkuara, tha se rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus po paraqet një "problem serioz" për vendin.

Ai i nxiti amerikanët të respektojnë "përgjegjësinë e tyre shoqërore" për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së virusit.

"Një rrezik për ju, nuk është i izoluar vetëm tek ju. Sepse nëse infektoheni, ju jeni pjesë - pa dashje - e përhapjes së një pandemie", tha ai në një konferencë për media së bashku më nënpresidentin amerikan, Mike Pence.

Nënpresidenti Pence tha se ka ende "punë për të bërë" dhe u bëri thirrje të rinjve të luajnë një rol në parandalimin e përhapjes së Covid-19.

"Ne i themi secilit amerikan, veçanërisht atyre shtetet që po përballen me rritje të numrit të të infekuarve, se tani është koha që të gjithë të vazhdojnë të bëjnë pjesën e tyre", tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 2.4 milionë raste me koronavirus dhe mbi 122,000 viktima.

Shtetet jugore dhe perëndimore kanë raportuar shifra rekorde të rasteve në ditët e fundit.

Parashikimet e Universitetit të Uashingtonit janë që numri i viktimave në SHBA të arrijë deri në 180,000 deri në tetor, ose në 146,000 nëse amerikanët mbajnë maska.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 9.5 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 4.8 milionë janë shëruar, ndërsa mbi 486,000 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG