Ndërlidhjet

Në spitalet e Kosovës po trajtohen 270 pacientë me COVID-19


Prishtinë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se 270 pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në shtatë spitalet e përgjithshme.

Sipas njoftimit, në klinikat e QKUK-së po trajtohen 186 pacientë.

Prej tyre, 107 janë të shtrirë në Klinikën Infektive, ku dy janë në mjekim intensiv, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ndërsa 55 pacientë të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Në Mjekësinë Sportive janë të shtrirë 15 pacientë, ku dy prej tyre janë të intubuar, dhe në Klinikën e Pulmologjisë të QKUK-së, 34 të sëmurë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, po mjekohen me oksigjenoterapi.

Në Spitalin e Prizrenit, ndërkaq, janë duke u trajtuar 22 raste me COVID-19; në spitalin e Gjakovës po trajtohen 19 pacientë, në atë të Pejës 29, në Ferizaj pesë, në Gjilan pesë, në Mitrovicë tre dhe në Vushtrri është i shtrirë një pacient me koronavirus.

Prej 13 marsit, kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë, deri më 7 korrik, janë regjistruar gjithsej 3,886 raste pozitive me koronavirus.

Prej tyre, 82 pacientë kanë vdekur dhe 2,003 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG