Organizata globale kundër varfërisë Oxfam i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që të ndërmarrë urgjentisht masa, për t'i dhënë fund një krize të urisë, e shkaktuar nga ndikimi i pandemisë së koronavirusit, duke paralajmëruar se ajo mund të çojë në vdekjen e deri në 12,000 njerëzve çdo ditë.
Në një raport të publikuar më 9 korrik, Oxfam thotë se deri në 121 milionë njerëz mund të shtyhen në prag të urisë këtë vit, pasi pandemia shkakton papunësi masive, çrregullime në prodhimin e ushqimit dhe të furnizimeve.
"Pandemia e COVID-19 e ka zgjeruar një krizë tashmë në rritje të urisë", thuhet në raport.
Raporti identifikon 10 vende, ku kriza e ushqimit është më e rëndë dhe është përkeqësuar si rezultat i pandemisë: Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Venezuela, Sahel i Afrikës Perëndimore, Etiopia, Sudani i Jugut, Siria, Sudani dhe Haiti.
Së bashku këto vende përbëjnë 65 për qind të njerëzve që përballen me krizë e urisë në nivel global.
Mbi 12 milionë njerëz në botë janë të infektuar me koronavirusin e ri, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins.