Ndërlidhjet

Zemaj paralajmëron angazhimin e më shumë mjekëve për luftimin e pandemisë


Ilustrim

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka njoftuar se do të fillojnë punën edhe 100 mjekë, 62 infermierë, 8 laborantë, 6 punonjës staf teknik dhe mbështetës në kuadër të përpjekjeve për të luftuar pandeminë e COVID-19, sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Zemaj tha se do të ketë angazhim edhe të inspektorëve sanitarë.

“Inspektorët e rinj do të kryejnë inspektime sanitare, kontrolle për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, higjienës së ushqimit, përpunimit, tregtimit, paketimit, ripaketimit, deponimit, transportimit të ushqimit”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook.

Në Kosovë gjatë javëve të fundit është rritur numri i viktimave dhe rasteve me koronavirusin e ri.

Institucionet kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjeve nga ora 21:00 deri 05:00 në disa komuna.

Qeveria e Kosovës, të dielën ka paralajmëruar ashpërsimin e masave për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha në një konferencë për media të dielën se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ka një pajtueshmëri të ndërmarrjes së masave shtesë dhe rigorozitet të plotë në zbatimin e atyre masave dhe të përcjellim situatën në ditët dhe javët e ardhshme duke mos e përjashtuar fillimin e ndjekjes së procedurave kushtetuese për gjendje të jashtëzakonshme”, tha Hoti.

Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se të dielën janë regjistruar edhe 216 raste të reja me koronavirus pas testimit të 493 mostrave.

Një pacient ka vdekur si pasojë e sëmundjes duke e çuar numrin e viktimave në 102 .

XS
SM
MD
LG