Ndërlidhjet

Në Kosovë shtohen kontrollet për zbatimin e masave kundër pandemisë


Policia e Kosovës gjatë kontrollit për zbatimin e masave kundër pandemisë. Prishtinë, 13 korrik.

Autoritetet në Kosovë kanë shtuar kontrollet për zbatimin e masave kundër pandemisë.

Për mbikëqyrjen e masave të qeverisë, të cilat kanë hyrë në fuqi më 6 korrik, është i autorizuar Inspektorati Sanitar, që funksionon në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës. Inspektorët sanitarë dhe Policia e Kosovës janë parë sot (13 korrik) duke kryer kontrolle në rrugët e Prishtinës.

Gjatë kontrollove të inspektoratit Sanitar dhe Policisë së Kosovës për zbatimin e masave kundër pandemisë.
Gjatë kontrollove të inspektoratit Sanitar dhe Policisë së Kosovës për zbatimin e masave kundër pandemisë.

Inspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “personat të cilat hasën që nuk janë duke zbatuar masat do të gjobiten në vlerë prej 500 euro bazuar në Ligjin për sëmundje ngjitëse dhe ligjin për kundërvajtje, ndërsa për persona juridik që nuk e zbatojnë ligjin gjegjësisht vendimin e kryeministrit do të shqiptohet masa e gjobës deri në 1000 euro”.

Inspektorati Sanitar ka thënë se personat që nuk vendosin maska gjobiten në vlerë prej 500 euro.
Inspektorati Sanitar ka thënë se personat që nuk vendosin maska gjobiten në vlerë prej 500 euro.

Të hënën gjatë një takimi të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Agim Veliu dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është diskutuar për zbatimin e Planit të ri Operacional të Policisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Në këtë takim u vendos që Policia e Kosovës përsëri të kaloj në orarin 12 orësh, për të pasur në kontroll të plotë situatën. Policia e Kosovës do të kujdeset që të shqiptoj dënime konform ligjit për të gjithë ata qytetarë që nuk i respektojnë masat”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Brendshme.

Në Kosovë gjatë javëve të fundit është rritur numri i viktimave dhe rasteve me koronavirusin e ri.

Institucionet kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjeve nga ora 21:00 deri 05:00 në disa komuna.

Qeveria e Kosovës, të dielën ka paralajmëruar ashpërsimin e masave për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha në një konferencë për media të dielën se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ka një pajtueshmëri të ndërmarrjes së masave shtesë dhe rigorozitet të plotë në zbatimin e atyre masave dhe të përcjellim situatën në ditët dhe javët e ardhshme duke mos e përjashtuar fillimin e ndjekjes së procedurave kushtetuese për gjendje të jashtëzakonshme”, tha Hoti.

Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se të dielën janë regjistruar edhe 216 raste të reja me koronavirus pas testimit të 493 mostrave.

Një pacient ka vdekur si pasojë e sëmundjes duke e çuar numrin e viktimave në 102 .

XS
SM
MD
LG