Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës miraton në parim projektligjin për rishikimin e buxhetit


Kuvendi i Kosovës - foto arkivi

Kuvendi i Kosovës miratoi të hënën në parim Projektligjin për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore.

Për projektligjin votuan 67 deputetë, ndërsa një abstenoi.

Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, nuk votoi. Deputeti i saj, Hekuran Murati, tha se “nuk mund të lejojë që në emër të një ndihme për qytetarët, të keqpërdoren miliona euro nga kjo qeveri”.

Pasi që projektligji në fjalë të miratohet në lexim të dytë, qeverisë do t’i mundësohet zbatimi i Pakos Emergjente Fiskale për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Në Pakon Emergjente Fiskale - e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh - ndër të tjera është paraparë që të paguhen punëtorët që nuk kanë punuar nga muaji mars, kur edhe janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Deri më tani, pagesa është bërë vetëm për muajin mars.

Për të realizuar pagesën për prill dhe maj duhet miratimi i projektligjit për rishikimin e buxhetit.

Ministrja e Financave e Kosovës, Hykmete Bajrami, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 3 korrik, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka mjete të mjaftueshme për të bërë pagesat për punëtorët, pa rishikim të buxhetit.

Çfarë parasheh projektligji i rishikuar?

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia e koronavirusit dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në projektligjin për rishikim të buxhetit ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë moblizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.

XS
SM
MD
LG