Ndërlidhjet

Irani thotë se ka ekzekutuar një spiun të CIA-s


Zëdhënësi i gjyqësorit në Iran, Gholamhossein Esmaili.

Gjyqësori i Iranit tha se një ish-punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili është dënuar me vdekje për shitje të informacioneve tek Agjencia Qendrore e Inteligjencës në SHBA - CIA, është ekzekutuar.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Gholamhossein Esmaili, tha se Reza Asgari ka qenë në kontakt me CIA-n gjatë viteve të fundit të shërbimit të tij në Ministrinë e Mbrojtjes në Iran dhe se i ka shitur asaj informacione për programin raketor të Iranit.

Esmaili tha se Asgari është ekzekutuar javën e kaluar.

Sipas tij, Asgari ka punuar në Departamentin e Hapësirës Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe është pensionuar katër vjet më parë.

Në lidhje me një tjetër rast, Esmaili tha se dënimi me vdekje i Mahmud Musavi-Majdit, një iranian i akuzuar për spiunim për SHBA-në dhe Izraelin, nuk është ekzekutuar ende.

Autoritetet iraniane kanë thënë se Musavi-Majd ka dhënë informacione për vendndodhjen e Qassem Soleimanit, komandantit të forcës elitë të Gardës Revolucionare Islamike, i cili është vrarë nga një sulm ajror i SHBA-së në Irak, në muajin janar.

Gjyqësori ka thënë muajin e kaluar se dënimi me vdekje i Musavi-Majdit do të ekzekutohet “shpejt”.

XS
SM
MD
LG