Ndërlidhjet

Xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar, thonë sindikalistët


Telekomi i Kosovës.
Telekomi i Kosovës.

Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës ka njoftuar se një përmbarues ka bllokuar xhirollogaritë e kompanisë publike Telekomi i Kosovës.

“Xhirollogaritë janë bllokuar për rastin e arbitrazhit ndërkombëtarë me Z-Mobile. Ky është shkatërrim për Telekomin e Kosovës. Nuk do të mund të operojmë nëse tërhiqen ato pak mjete që janë në xhirollogarinë e Telekomit”, tha në një konferencë për media, Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës.

Ai ka kërkuar që sa më parë të zhbllokohen xhirollogaritë, në të kundërtën, sipas tij, nga dita e hënë punëtorët e Telekomit do të organizojnë protesta dhe greva.

Ministri i Ekonomisë në Kosovë, Blerim Kuçi ka thënë se në lidhje me bllokimit të llogarive bankare të Telekomit të Kosovës “po punohet dhe do të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme”.

“Filli i kësaj situate është në vitin 2016, kur operatori ekonomik "Dardafon.net" ka fituar në Tribunalit Ndërkombëtarë të Arbitrazhit, aty ku i është njohur e drejta për përmbarim të borxhit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga ministri i Ekonomisë.

Si erdhi deri te kjo situatë?

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë.

Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.

Ndërkohë, për dëmin e shkaktuar ndaj kompanisë Z-Mobile, Telekomi i Kosovës obligohej t’i lëshonte numeracion shtesë Z-Mobile, t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G dhe të paguante një gjobë prej mbi 25 milionë euro në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.

Më 30 korrik 2019, Telekomi i Kosovës e ka shpallur të përfunduar kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme.

XS
SM
MD
LG