Ndërlidhjet

Vëzhguesit e vlerësojnë si të mirë procesin zgjedhor në Maqedoninë e V.


Maqedoni e Veriut.

Misioni vëzhgues i OSBE ODIHR-it ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin të organizuara mirë, pavarësisht situatës me pandeminë e koronavirusit, por siguria juridike, sipas tyre, lë shumë hapësire për shqetësim.

Vlerësimet e vëzhguesve u paraqitën në një raport preliminar për zgjedhjet e 15 korrikut.

“Dita e zgjedhjeve kaloi mirë. Procesi i votimit ishte i qetë. Vërejtëm disa shqetësime me listën e votuesve për një numër të vogël të votuesve. Kishte tentime për blerjen e votave, por meqë këto janë nën hetim, ne do ta ndjekim deri në fund këtë çështje“, ka theksuar shefja e misionit të OSBE ODIHR-it, Laima Andrikiene.

Ajo me këtë rast ka rikujtuar edhe faktin se në ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk janë të përfshira të gjitha rekomandimet e OSBE ODIHR-it.

“Autoritetet duhet t’u qasen me seriozitet këtyre çështjeve para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme” ka theksuar Andrikiene.

Zgjedhjet e së mërkurës ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Nga përpunimi i 93.96 për qind të vendvotimeve, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar rreth 321 mijë vota apo 36.12% e pasuar nga VMRO DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit me 310 mijë vota apo 34.85%.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, BDI-ja ka siguruar 101 mijë vota apo 11.3 për qind të votave, kurse opozita e drejtuar nga koalicioni Aleanca dhe Alternativa kanë marrë 76 mijë vota apo 8.52 për qind të votave.

Partia e krahut të majtë “Levica”, ka fituar 37 rreth mijë vota 3.96% për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit rreth 13 mijë vota apo 1.48% për qind.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e tyre vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

XS
SM
MD
LG