Ndërlidhjet

Irani ekzekuton një person të dënuar për "spiunim" me amerikanët


Demonstruesit iranianë mbajnë imazhet e komandantit ushtarak të vrarë Qasem Soleimani dhe Liderit të Lartë të Iranit Ayatollah Ali Khamenei përpara ambasadës britanike në kryeqytetin Teheran më 12 janar 2020.

Irani njoftoi se ka ekzekutuar një person të dënuar për dërgimin e informacioneve në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, në lidhje me një komandant të fuqishëm të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, i vrarë nga një sulm me avion amerikan në Irak.

"Dënimi i Mahmud Musavi-Majd u krye të hënën në mëngjes me akuzën e spiunazhit në mënyrë që çështja e tradhtisë së tij ndaj vendit, të mbyllet përgjithmonë", raportoi faqja e internetit e gjyqësorit Iranian, Mizan Online.

Autoritetet iraniane në qershor thanë që Musavi-Majd e tregoi informacionin mbi vendndodhjen e Qasem Soleimani, komandant i forcës elitare Kuds të Iranit, i cili u vra në një sulm ajror amerikan pranë Bagdadit në muajin janar.

Gjyqësori tha muajin e kaluar se dënimi me vdekje i Musavi-Majd ishte mbështetur nga Gjykata Supreme dhe do të kryhej "së shpejti".

Në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Soleimanit në orët e para të 3 janarit, një sulm raketor balistik iranian në një bazë ajrore irakiane la rreth 110 trupa amerikane me pasoja traumatike të trurit.

Disa orë më vonë, forcat iraniane qëlluan një aeroplan udhëtarësh ukrainas i cili po fluturonte nga Teherani, duke vrarë 176 personat në bord.

Irani tha se sulmi ndodhi për shkak të një keqkomunikimi midis ushtarëve dhe oficerëve të lartë.

Zyrtarët iranianë nuk thanë nëse çështja e Musavi-Majd ishte e lidhur me njoftimin e Iranit në verën e vitit 2019 se kishte kapur 17 spiunë që punonin për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA).

Raporti vjen pasi gjyqësori i Iranit njoftoi më 14 korrik se një ish-punëtor i Ministrisë së Mbrojtjes, i dënuar për shitje informacioni në CIA, ishte ekzekutuar.

Zëdhënësi i gjyqësorit Gholamhossein Esmaili tha më 14 korrik se Reza Asgari kishte qenë në kontakt me CIA-n, gjatë viteve të fundit, derisa shërbente në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i shiti agjencisë informacione rreth programit të raketave të Iranit.

XS
SM
MD
LG