Ndërlidhjet

Hoti: Nuk ka dialog teknik


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka dialog teknik me Serbinë.

“Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, ka shkruar kryeministri Hoti në rrjetin social Facebook.

Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.

Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.

Rinisja procesit teknik të dialogut në Bruksel, në kohën kur pritej që ky proces të shkonte drejt një marrëveshjeje finale politike, po shoqërohet me kundërshtime në Prishtinë.

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se këto tema që janë diskutuar në takimin e javës së kaluar në mes të kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq duhet të përfshihen në kuadër të marrëveshjes finale e jo të diskutohen në proces teknik.

“Tani duhet të punohet për marrëveshjen finale si dhe brenda saj mund të adresohen çështjet që quhen teknike, por që janë shumë të rëndësishme, reparacionet e luftës, pastaj suksesioni, ndarja e pasurisë e të tjera. Por, nëse përsëri shkohet më gjëra teknike dhe pastaj të vihet me marrëveshjen finale, kjo ka rrezik që ta lë procesin të hapur pafundësisht”, ka thënë Tahiri.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian konfirmon se ka dërguar ftesat te Kosova dhe Serbia, sa i takon rinisjes së dialogut teknik.

Zëdhënësja për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali, thotë se në takim do të diskutohet për çështjet që janë biseduar në takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.

Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, për të mundësuar, siç është thënë, vazhdimin e dialogut.

XS
SM
MD
LG