Ndërlidhjet

Tommaso Vitale: Nuk ka ndryshim në mandatin e KFOR-it në Kosovë


Gjenerali i brigadës Tommaso Vitale

Gjenerali i brigadës Tommaso Vitale, shef i zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd, tha se nuk ka ndryshime në mandatin e KFOR-it në Kosovë.

Ai tha se KFOR-i është duke e përmbushur “atë që është përshkruar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

“Detyra jonë është që t’i mbrojmë të gjithë njerëzit në Kosovë, që të garantojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe dëshiroj të them që, në të njëjtën kohë, e mbështesim fuqishëm rinisjen e dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] nën ombrellën e Bashkimit Evropian apo cilitdo aktor tjetër ndërkombëtar, në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjen historike”, tha Vitale në panelin kushtuar bashkëpunimit të Serbisë dhe NATO-s, në kuadër të javës së 8-të të NATO-s që po mbahet në Beograd, nën organizimin e organizatës joqeveritare Qendra për Studime Euroatlantike.

“KFOR-i ka qenë, është dhe vazhdon të jetë plotësisht i përkushtuar, nuk do të ketë zvogëlim të numrit të trupave. Gjendemi në një mjedis kompleks, i cili është bërë edhe më kompleks me [pandeminë] COVID-19”, tha shefi i Zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd.

Vitale theksoi se politika e neutralitetit ushtarak të Serbisë - për të cilën insistojnë autoritetet e saj - nuk paraqet kurrfarë pengese për bashkëpunim me NATO-n.

“Serbia është fqinji ynë dhe partner mjaft i vlerësuar. Roli i saj është kyç për rajonin dhe në kontekstin e gjerë ndërkombëtar. Ne e kemi thënë mjaft qartë se parimi ynë themelor është që NATO, si aleancë, e respekton të drejtën e secilit shtet sovran që t’i ketë zgjedhjet e tij dhe aranzhimet e sigurisë, pa kurrfarë përzierje ose vetoje nga jashtë. Kemi qenë mjaft të qartë lidhur me atë që NATO-ja e respekton të drejtën e Serbisë që t’i zgjedhë aranzhimet e veta”, tha Vitale.

Shefi i zyrës së NATO-s në Beograd rikujtoi se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe NATO-s është vendosur rreth një dekadë e gjysmë më parë - më 2006 - përmes zyrës ushtarake, të cilën ai e drejton aktualisht, dhe tha se ky partneritet po zhvillohet “në interesin e Serbisë dhe NATO-s, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Branimir Filipoviq, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, e falënderoi përfaqësuesin e NATO-s për qëndrimin lidhur me respektimin e politikës së neutralitetit ushtarak të Serbisë dhe gjithashtu tha se bashkëpunimi i Serbisë me Aleancën është në interesin e ndërsjellë dhe se kjo “është rruga e drejtë për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit”.

“Bashkëpunimi është i rëndësishëm edhe për shkak të çështjes së Kosovës, e cila për Serbinë është sfida më e madhe politike dhe e sigurisë e për të cilën dialogu është në vazhdim e sipër”, tha Filipoviq, duke theksuar se është e rëndësishme të punohet lidhur me perceptimin ndaj NATO-s në opinionin publik në Serbi.

Sipas hulumtimeve që janë publikuar më 21 korrik, anëtarësimin eventual të Serbisë në NATO e mbështesin 9 për qind e të anketuarve në Serbi, ndërkaq 72 për qind janë shprehur kundër.

Të tjerët, siç kanë thënë, nuk do të votonin në një referendum për një çështje të tillë.

Hulumtimin e ka zhvilluar Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, përfaqësuesi i së cilës tha se qëndrimet e qytetarëve për anëtarësim në NATO janë identike me rezultatet e dy vjetëve paraprakë.

Arsyeja themelore e mbështetjes së dobët për NATO-n në mesin e qytetarëve të Serbisë është intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999, i cili zgjati 78 ditë dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes teknike-ushtarake në Kumanovë, më 9 qershor, 1999, pas së cilës forcat ushtarake dhe policore të Serbisë janë larguar nga territori i Kosovës.

XS
SM
MD
LG