Ndërlidhjet

Mustafa kërkon përkrahje ndaj qeverisë për procesin e dialogut


Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të dielën përmes një postimi në Facebook se ka biseduar me Koordinatorin Shtetëror për dialog, Skender Hyseni rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Mustafa tha se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke.

“Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke”, tha ai.

Mustafa theksoi se për këtë proces duhet të ketë bashkëpunim ndërinstitucional dhe të të gjithë akterëve politikë.

“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e cojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, tha Mustafa.

Ndryshe, Qeveria Hoti ka marrë kritika nga partnerët e koalicionit si dhe opozita për mënyrën e rifillimit të dialogut me Serbinë.

Partnerët e koalicionit të qeverisë Hoti, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që edhe Partia Demokratike e Kosovës të përfshihet në qeverinë Hoti.

Zyrtarët e PDK-së ia kanë bërë me dije Hotit se nuk e ka mbështetjen e PDK-së për dialogun, përderisa nuk udhëhiqet nga SHBA-ja.

Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kishin deklaruar se Hoti e ka përkrahjen vetëm të presidentit Hashim Thaçi dhe se ai shkoi në bisedime pa platformë, pa ekip dhe pa agjendë.

Pas 20 muajsh ndërprerje, më 16 korrik rinisi dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, delegacionet e ekspertëve të të dyja vendeve, më 23 korrik u takuan në Bruksel. Në këtë takim Kosova u përfaqësua nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni dhe palën serbe e përfaqësoi, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

XS
SM
MD
LG