Ndërlidhjet

Hyseni bisedon me ambasadorin Grenell për dialogun Kosovë-Serbi


Koordinatori shtetëror i Kosovës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni.

Koordinatori shtetëror i Kosovës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni, ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin e Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

Hyseni tha se "amasadori Grenell mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar fuqishëm rreth dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë".

"Normalizimi i raporteve përmes zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e projekteve investuese mbeten ne fokus të agjendës dhe përkushtimit të Ambasadorit Grenell", thuhet në një postim që Hyseni e ka bërë në rrjetin social Facebook.

Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i paraparë të mbahej në Shtëpinë e Bardhë, në fund të qershorit, nën organizimin eambasadorit Grenell, nuk është mbajtur, pasi paraprakisht Prokuroria Speciale në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duhej të merrte pjesë në atë takim.


Zyrtari kosovar po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku të martën është pritur edhe nga senatori amerikan, Ron Johnson.

"Me Senatorin Johnson i cili është aktivisht i interesuar për raportet Kosovë Serbi bëmë një bisedë të hapur rreth dialogut dhe perspektivës së një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë", ka njoftuar Hyseni.

Të hënën ai tha se ka kërkuar praninë e përhershme aktive të SHBA-së në tryezën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Komentet i bëri pas takimit me zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, i cili njëherësh është edhe dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi muajin e kaluar, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

XS
SM
MD
LG