Ndërlidhjet

Facebook dhe Twitter fshijnë pretendimet e Trumpit për koronavirusin


Logo e rrjeteve sociale Twitter dhe Facebook

Rrjetet sociale Facebook dhe Twitter kanë larguar disa postime të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe fushatës së tij për shkelje të politikave kundër përhapjes së dezinformimit rreth koronavirusit.

Facebook ka fshirë një video të llogarisë së presidentit, në të cilën ai ka pretenduar se fëmijët “janë pothuajse imunë” ndaj pandemisë.

Facebook ka thënë se një material i shkurtër nga një intervistë e rrjetit televiziv, Fox News, është larguar sepse ka pasur “përmbajtje të dëmshme për COVID-19”, duke thënë gabimisht se fëmijët janë imunë ndaj koronavirusit.

Kjo ka qenë hera e parë që ky rrjet social ka larguar nga platforma e tij një postim të presidentit për shkak të shkeljes së rregullave.

Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se fëmijët nuk kanë imunitet ndaj koronavirusit, ndonëse shkalla e vdekshmërisë në mesin e atyre që janë infektuar është shumë më e vogël në krahasim me grupin e të vjetërve.

Mohimi i virusit rrezikon shëndetin publik
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Foshnjat dhe fëmijët deri më tani janë prekur nga virusi dhe kanë përhapur të njëjtin te të tjerët.

Rrjeti tjetër social, Twitter, ka bllokuar llogarinë zyrtare të fushatës së Trumpit për shkak të një postimi që ka pasur incizimin e njëjtë, duke thënë se materiali duhet të fshihet para se të aktivizohet llogaria.

Më vonë llogaria @TeamTrump është rikthyer, duke thënë se videoja në fjalë është hequr.

“Një tjetër ditë, një tjetër paragjykim flagrant i Silicon Valley-it kundër presidentit, ku rregullat zbatohen në vetëm një drejtim”, ka thënë sekretarja për media e fushatës së Trumpit, Courtney Parella.

“Presidenti ka qenë duke thënë se fëmijët janë më pak të ndjeshëm ndaj koronavirusit. Kompanitë e mediave sociale nuk janë arbitra të së vërtetës”.

Trump i ka bërë këto komente gjatë një interviste, teksa ka bërë thirrje për hapjen e shkollave, gjë e cila konsiderohet çështje kyçe për kthim të prindërve në punë.

Përgjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka përsëritur pretendimet se virusi ka pasur pak ndikim te fëmijët.

Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:18 0:00

“Fëmijët e menaxhojnë shumë mirë”, u ka thënë ai gazetarëve.

“Nëse shihni të dhënat sa i përket fatalitetit, shkallës së vdekshmërisë te fëmijët… në një moshë të caktuar… sistemi i tyre imunitar është shumë shumë i fortë dhe i fuqishëm”.

Trump ka pretenduar sërish se virusi “do të largohet” pavarësisht pse numri i të infektuarve në Shtetet e Bashkuara qëndron në 4.8 milionë, me më shumë se 158,000 vdekje të regjistruara.

Presidenti amerikan, Trump, vazhdimisht ka rënë në kundërshtim me zyrtarët dhe ekspertët shëndetësorë amerikanë prej përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Në gjithë shtetin, shkollat janë duke shqyrtuar një varg qasjesh.

Disa shkolla kanë rikthyer mësimin në klasa, derisa u kanë lejuar nxënësve edhe mundësinë e mësimit në distancë.

Disa shkolla të tjera janë duke planifikuar qasje të kombinuar, duke ndarë disa ditë për mësim në shkollë dhe ditë tjera për mësim nga shtëpitë.

Mirëpo, rritja e numrit të rasteve me koronavirus në shumë shtete ka nxitur disa zona që të shtyjnë mësimin në klasa për të paktën deri në fillim të vitit të ri shkollor.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me vështirësi në ndalje të virusit, Evropa ka ashpërsuar rregullat pas shqetësimeve se koronavirusi po kthehet sërish.

Toulouse, në jugperëndim të Francës ka marrë vendim për ta bërë të detyrueshme vendosjen e maskave, derisa shumë qytete franceze pritet të zbatojnë protokolle të ngjashme.

Në Holandë, masat për vendosje të maskës kanë nisur së zbatuari në Roterdam dhe disa pjesë të Amsterdamit.

Ndërkohë, numri i të infektuarve me koronavirus në Spanjë vazhdon të rritet dukshëm prej kur janë larguar masat e izolimit në muajin qershor, ashtu sikurse në Belgjikë.

Gjermania ka futur provincën Antverp të Belgjikës në listën e rajoneve që u kërkon udhëtarëve t’i nënshtrohen masës së karantinës për 14 ditë nëse kthehen nga atje, përveç nëse tregojnë testin negativ për këtë virus.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG