Ndërlidhjet

ASHAK: Kosova po dështon krejtësisht në luftën ndaj pandemisë


Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përmes një reagimi për media, ka kritikuar klasën politike në Kosovë për menaxhim të dobët të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Rritja e numrit të personave të vdekur dhe të të infektuarave, sipas ASHAK-ut, ka shndërruar Kosovën në një vend të izoluar që ka dështuar krejtësisht në menaxhimin e pandemisë.

“Kjo situatë e ka bërë Kosovën vend të izoluar, në të cilin kanë dështuar jo vetëm institucionet e shëndetit publik, të rendit dhe të ligjit dhe të mirëmbajtjes së shoqërisë, por edhe vetëdija qytetare, përgjegjësia kolektive dhe vlerat e emancipimit shoqëror”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

ASHAK-u më tej shton se situata me pandeminë është më e rëndë sesa që po paraqitet nga institucionet.

“Tashmë jemi dëshmitarë se situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit, se gjendja e prezantuar dhe e njohur publikisht nuk i përgjigjet situatës reale, e cila është shumë më e rëndë, është e padetektuar, e padeklaruar, ose është duke u fshehur qëllimisht”, thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

ASHAK-u bën përgjegjës për situatën e krijuar të gjithë klasën politike, si dhe të gjitha qeveritë e pasluftës.

ASHAK-u, gjithashtu, konsideron se Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë pasi, sipas këtij institucioni, “dialogu është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën”.

Javëve të fundit, Instituti i Kosovës për Shëndetësi Publike ka regjistruar shifra rekorde të numrit të personave të infektuar.

Që nga shfaqja e rastit të parë më 13 mars, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 9,492 raste pozitive me COVID-19. Numri i përgjithshëm i viktimave deri me 5 gusht ka arritur në 284.

Aktualisht në Kosovë janë gjithsej 3,862 raste aktive.

Institucionet e Kosovës kanë vendosur së fundi disa masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Në kuadër të masave obliguese është vendosja e maskës në publik, si dhe reduktimi i stafit nëpër institucionet private dhe publike.

Një ndër masat në fuqi është edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në qytetet me rastet më të shumta.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në komunën e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Fushë Kosovës, Shtërpcës, Gjakovës, Drenasit dhe Lipjanit ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22.30 deri në orën 05.00 të mëngjesit.

Në këtë periudhë kohore është i ndaluar edhe aktiviteti gastronomisë.

Përmes vendimit të qeverisë, po ashtu, ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG