Ndërlidhjet

Kosovë: Licencohen 29 institucione private për të kryer testime për COVID-19


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se ka licencuar 29 institucione shëndetësore private, për të kryer testime për koronavirusin e ri.

“Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të aplikojnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT- PCR)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Dy laboratorët që janë licencuar për të kryer testime me metodën PCR janë: Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike dhe laborator Mjekësor Biokimik-Hematologjik “Medical & Laboratory Services Sh.P.K “ - Prishtinë dhe Laborator Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike “ UBT “ – Lipjan.

Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

"Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore deri tash ka shqyrtuar 34 nga mbi 100 aplikacionet e institucioneve private shëndetësore", thuhet në komunikatë.

Deri tani në Kosovë teste për COVID-19 ka kryer vetëm IKSHPK-ja, derisa më 17 korrik kanë filluar të bëhen teste serologjike edhe në sektorin primar shëndetësor, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

Që nga paraqitja e rasteve të para më koronavirus në Kosovë më 13 mars, Kosova është vlerësuar se ka bërë pak teste për COVID-19.

XS
SM
MD
LG