Ndërlidhjet

BE-ja kritikon Bjellorusinë për dhunën pas zgjedhjeve, paralajmëron marrje të masave


Shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell.
Shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell.

Shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell ka dënuar të martën, atë që e ka cilësuar si dhunë “joproporcionale” nga autoritetet e Bjellorusisë kundër protestuesve pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës, duke thënë se BE-ja mund të marrë masa të paspecifikuara.

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, që është në pushtet nga viti 1994, ka pretenduar se ka fituar rreth 80 për qind të votave.

Mirëpo këto deklarata kanë nxitur protesta të dhunshme për dy net me radhë, si dhe përleshje në mes të forcave të sigurisë dhe mbështetësve opozitarë.

Një protestues është vrarë në këto përleshje.

Liderja e opozitës, Svetlana Tikhanouskaya ka thënë të martën se është larguar drejt Lituanisë, për hir të fëmijëve të saj.

“Zgjedhjet as nuk kanë qenë të lira dhe as të drejta”, ka thënë Borrell përmes një deklarate, duke cituar “raporte kredibile” të vëzhguesve të brendshëm, të cilët kanë treguar se procesi zgjedhor nuk ka përmbushur standardet ndërkombëtare.

“Autoritetet shtetërore kanë përdorur dhunë të papranueshme dhe joproporcionale… mijëra persona janë ndaluar dhe shtypja është rritur ndaj mediave dhe lirisë së shprehjes”, ka thënë ai.

Borrell ka thënë se blloku evropian, në kuadër të procesit të rishikimit të marrëdhënieve me Bjellorusinë, mund të marrë masa “kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën, arrestimet e paarsyetuara dhe rezultatet zgjedhore”, ndonëse nuk ka dhënë hollësi.

Ai u ka bërë thirrje autoriteteve bjelloruse që të lirojnë menjëherë personat e ndaluar.

XS
SM
MD
LG