Ndërlidhjet

Më shumë persona të shëruar sesa të infektuar me koronavirus në Kosovë


Ilustrim.

Kosova ka regjistruar të enjten 193 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 491 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar edhe tetë viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 373.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të enjten janë regjistruar edhe 205 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 3,999.

Kjo i bie se aktualisht, numri total i të shëruarve (6,616) është më i madh sesa i rasteve aktive.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë në një konferencë për media nga Gjakova se në Kosovë po vërehet një ulje e lehtë e numrit të rasteve të prekura nga koronavirusi.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,988 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të enjten janë licencuar edhe tetë institucione tjera private shëndetësore për të kryer teste serologjike për COVID-19.

Përmes këtyre testeve, kuptohet nëse një person ka tejkaluar këtë virus, si dhe nëse trupi ka krijuar antitrupa kundër tij.

Ky është rrethi i tretë i licencimit, pasi më parë, leje për testime kishin marrë 38 laboratore.

Vetëm dy prej tyre mund të kryejnë teste PCR, që përcaktojnë nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Çmimet variojnë nga 25 deri në 50 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa.

Më 12 gusht, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka thënë se do të jetë i pakompromis nëse do të vërehen keqpërdorime apo çfarëdo kushti tjetër tregtar që eventualisht mund të vendoset nga institucionet shëndetësore private të licencuara për testim për COVID-19.

XS
SM
MD
LG