Ndërlidhjet

OVL e UÇK-së dorëzon kërkesën për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale


Ilustrim.
Ilustrim.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës që të ndryshojnë ligjin për Gjykatën Speciale.

Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, tha se ata kërkojnë që përmes amandamentimit të këtij ligji, Gjykata Speciale të hetojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

“Përpos asaj, kërkojmë që kjo gjykatë të ketë një zyrë në Kosovës sikurse e ka edhe në Serbi. Kemi kërkuar gjithashtu që në emërtimin që ndodhet në objektin e kësaj Gjykate në Hagë, të jenë edhe simbolet e Kosovës. Një kërkesë tjetër është gjithashtu që Organizatës së Veteranëve, t’i mundësohet me ligj, monitorimi i Zyrës për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special”, ka thënë Haradinaj, në nje konferencë për media, pasi e dorëzoi kërkesën në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015.

Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës disa herë e kanë quajtur si “raciste dhe të njëanshme” këtë Gjykatë, pasi sipas tyre ajo nuk do të hetojë edhe krimet serbe në Kosovë.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Në muajin dhjetor të vitit 2017, 43 deputetë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës kishin parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar dy herë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk i patën dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë, me çka e kishin pamundësuar kuorumin për vendimmarrje.

Komuniteti ndërkombëtare kishte bërë trysni që kjo nismë të mos procedohet.

Deri më tani prokurorët kanë intervistuar qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Specializuar.

Presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tashmë janë intervistuar nga ana e prokurorëve.

XS
SM
MD
LG