Ndërlidhjet

Viti akademik në Kosovë nis më 1 tetor në format të kombinuar


Ilustrim.

Rektorët e shtatë universiteteve publike në Kosovë kanë marrë vendim të martën që viti i ri akademik 2020/2021 të nisë më 1 tetor, ndonëse në format të kombinuar pas situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës është arritur pajtueshmëri që provimet pranuese për studentët e rinj dhe provimet të mbahen në ambiente të fakulteteve, derisa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet tjera të zhvillohen në distancë.

Përgjatë kësaj konference është thënë edhe se si pasojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për datën 29 gusht, viti akademik për studentët e rinj mund të fillojë me deri në dy muaj vonesë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur ditë më parë se hapja e institucioneve tjera shkollore do të varet nga gjendja epidemiologjike.

Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori.

Prej 13 marsit, kur janë raportuar rastet e para, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 11,545 persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre 410 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG