Ndërlidhjet

PE nuk e njeh Lukashenkan president të Bjellorusisë


Pamje të disa protestuesve në Bjellorusi.

Grupet kryesore politike të Parlamentit Evropian (PE), kanë konfirmuar të martën se nuk e njohin Aleksandar Lukashenkan si president të rizgjedhur të Bjellorusisë, dhe atë e konsiderojnë si “persona non-grata” (person të padëshiruar) në Bashkimin Evropian (BE).

Në deklaratën e përbashkët, ata konsiderojnë se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit “nuk ishin as të lira, as të drejta”, ndërsa, sipas tyre, raportet e besueshme tregojnë për një fitore të lideres opozitare, Svetlana Tikhanovskaya.

Deklaratën e përbashkët e kanë nënshkruar shefat e grupit të Partive Popullore, Socialemokratëve, Liberalëve, të Grupit të të Gjelbërve si dhe konservatorëve dhe reformistëve evropianë.

Megjithatë në mesin e nënshkruesëve mungojnë përfaqësuesit e grupacioneve politike që i përkasin ekstremit së djathtë dhe të majtë, ndonëse ato janë më të vogla në numër.

Në deklaratën e përbashkët, përfaqësuesit e grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian përshëndesin popullin bjellorus për guximin dhe vendosmërinë e tyre si dhe mbështesin fuqishëm dëshirën e tyre për ndryshime demokratike dhe liri.

“Ne dënojmë fuqishëm arrestimet dhe aktet e tmerrshme të dhunës dhe torturave të kryera kundër protestuesve paqësorë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë të këtyre krimeve, të cilat nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar”, porositën ata duke rikujtar Alexander Lukashenkan për përgjegjësinë e tij.

Megjithatë, Parlamenti Evropian nuk ka autoritet që të shpallë dikë persona non-grata, meqë kjo çështje është në kompetencë të shteteve anëtare të BE-së.

Shtetet anëtare të BE-së, në nivelin më të lartë politik, do ta shqyrtojnë situatën në Bjellorusi, më 19 gusht, përmes një video-konference.

XS
SM
MD
LG