Ndërlidhjet

SHBA-ja mirëpret vendimin e gjykatës për çështjen e vrasjes së Haririt


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur dënimin e një anëtari të Hezbollahut, për komplotin e vrasjes së kryeministrit libanez, Rafik al-Hariri, në Bejrut më 2005.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha përmes një deklarate se aktgjykimi i dhënë nga Gjykata Speciale për Libanin kundër, Salim Jamil Ayyash "nënvizon rëndësinë e dhënies së drejtësisë dhe përfundimit të mosndëshkimit, gjë që është e domosdoshme për të siguruar sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Libanit".

"Dënimi i Ajjas ndihmon në konfirmimin e asaj që bota po njeh gjithnjë e më shumë - se Hezbollah dhe anëtarët e saj, nuk janë mbrojtës të Libanit, siç pretendojnë, por një organizatë terroriste e përkushtuar për avancimin e agjendës sektare malinje të Iranit", tha ai.

Gjykata liroi tre burra të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë për shkak të provave të pamjaftueshme.

Katër anëtarët e dyshuar të grupit militant shiit Hezbollah u gjykuan në mungesë nga Gjykata Speciale për Libanin, me seli në periferi të Hagës në Holandë.

Gjyqi nisi në vitin 2014.

Prokurorët e bazuan aktakuzën kryesisht në të dhënat e telefonave celularë që pretendohet se u përdoren nga personat e akuzuar, për të planifikuar dhe ekzekutuar vrajsen përmes makinës bombë.

Gjyqtarët thanë se provat treguan se i pandehuri kryesor, Salim Jamil Ayyash, posedonte "një nga gjashtë celularët e përdorur nga ekipi i atentatit" dhe vendosën se ai ishte fajtor për kryerjen e një sulmi terrorist dhe vrasje.

Vendndodhjet e Ajjashit, Hassan Habib Merhi, Hussein Hassan Oneissi dhe Asad Hassan Sabra nuk dihen.

Sidoqoftë, gjyqtarët thanë se ata nuk kishin gjetur prova që lidershipi i Hezbollahut, që mbështetet nga Irani ose qeveria siriane kishte luajtur rol në sulmin e 14 shkurtit 2005, që la të vdekur 21 persona të tjerë.

Hariri, një miliarder musliman suni, kishte lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, vendet perëndimore dhe aleatët arabë të Gjirit Suni dhe u pa si një kërcënim për ndikimin iranian dhe sirian në Liban. Ai drejtoi përpjekjet për të rindërtuar Bejrutin pas luftës civile 1975-1990.

Vendimi i Gjykatës u shty gati dy javë si shenjë respekti për viktimat e shpërthimit të 4 gushtit në portin e Bejrutit që vrau rreth 180 njerëz, plagosi më shumë se 6,000 dhe la një çerek milioni tjerë me shtëpi të shkatërruara.

XS
SM
MD
LG