Ndërlidhjet

Barnier: Marrëveshja Britani-BE pas Brexitit ka pak gjasa të ndodhë


Negociatori i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier.

Negociatori i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier, ka thënë se ka pak mundësi të arritjes së një marrëveshjeje në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian pas daljes së britanikëve nga BE-ja.

Duke folur pas raundit të fundit të negociatave, Barnier ka thënë se është i “ zhgënjyer” dhe i “shqetësuar.”

Homologu i tij britanik, David Frost ka folur “për përparimin e vogël”, në politikat e peshkimit dhe rregullave shtetërore për ndihma.

Bashkimi Evropian ka thënë se do të dëshironte të arrinte marrëveshje me Britaninë deri në muajin tetor, në mënyrë që e njëjta të miratohet nga Parlamenti Evropian, para se të përfundojë periudha pas Brexitit në fund të këtij viti.

Periudha tranzitore përfundon më 31 dhjetor dhe nëse nuk arrihet marrëveshje deri atëherë, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të bëjë tregti me BE-në në bazë të kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Kjo nënkupton që shumica e mallrave britanike do të jenë subjekt i tarifave derisa të nënshkruhet një marrëveshje për tregti të lirë.

Mbretëria e Bashkuar ka thënë se nuk do të vazhdojë negociatat nëse nuk arrihet marrëveshje deri në fund të muajit dhjetor.

Në një deklaratë të lëshuar pas përfundimit të raundit të shtatë të bisedimeve, Frost ka thënë se BE-ja e ka bërë “të vështirë në mënyrë të panevojshme” arritjen e përparimit, duke insistuar se politikat e peshkimit dhe ato për ndihmë të zgjidhen përpara se të kryhet punë e madhe të fushat tjera, përfshirë testet ligjore”.

Raundi i ri i bisedimeve pritet të nisë më 7 shtator në Londër.

XS
SM
MD
LG