Ndërlidhjet

Evropa regjistron rritje të rasteve të reja me koronavirus


Barcelonë, Spanjë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se pandemia e koronavirusit mund të vihet nën kontroll për dy vjet, teksa Evropa po përjeton raste të reja me koronavirus e në Shtetet e Bashkuara – vendi i goditur më së keqi nga pandemia – duket se ka filluar të bie numri i rasteve të reja.

Drejtori i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus tha më 21 gusht se shpreson që teknologjia moderne i jep mjete njerëzimit që ta luftojë sëmundjen COVID-19, në mënyrë me efektive sesa ishte luftuar pandemia e Gripit Spanjoll.

“Prandaj, ne shpresojmë se kjo pandemi do të përfundojë në më pak se dy vjet”, tha ai.

Megjithatë, shefi i OBSH-së paralajmëroi se “edhe nëse ne e kemi një vaksinë, pandemia nuk do të përfundojë vetë”.

Shtetet nuk duhet t’i kenë shpresat vetëm te një vaksinë potenciale, por duhet të zbatojë në mënyrë efektive masat shëndetësore dhe njerëzit duhet t’i përmbahen masave që të ulet lakorja e infektimeve, tha ai.

Deri më tani, pothuajse 23 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar me koronavirus dhe afro 800,000 kanë vdekur, thuhet në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins. Megjithatë, shifrat reale besohet se janë më të larta.

Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia janë në mesin e shteteve që po regjistrojnë rritje të rasteve. Franca ka raportuar për të dytën ditë me radhë mbi 4,000 raste të reja. Spanja ka regjistruar dyfishin e rasteve të Francës; Italia ka regjistruar pothuajse 1,000 raste në ditë, ndërkaq në Gjermani, numri i rasteve të reja me koronavirus, brenda një dite po arrin shifrën prej mbi 1,500.

Rritja e numrit të rasteve të reja, sipas ekspertëve, lidhet me udhëtimet gjatë verës të të rinjve, që ka rritur frikën se virusi mund të rikthehet më fuqishëm gjatë vjeshtës.

Por, disa liderë evropianë kanë dhënë sinjale se nuk do të rikthejnë masat e izolimit, të cilat në shumë vende të botës kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.

Në SHBA, mbi 175,000 persona kanë vdekur me koronavirus, ndërkaq, Brazili ka regjistruar mbi 113,000 viktima. Megjithatë, për pesë ditë me radhë, në SHBA është shënuar rënie e rasteve të reja, ku janë regjistruar 43,000 raste të reja brenda 24 orëve.

XS
SM
MD
LG