Ndërlidhjet

Liderja opozitare bjelloruse do të takohet me numrin dy të DASH-it


Svyatlana Tsikhanouskaya, ish-kandidate në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi.
Svyatlana Tsikhanouskaya, ish-kandidate në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi.

Liderja opozitare e Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, më 24 gusht do të takohet me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Stephen Biegun. Ky takim po shihet si shenjë e pjesëmarrjes së SHBA-së në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje paqësore për situatën në Bjellorusi, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale.

Ekipi i Tsikhanouskaya tha se numri dy i Departamentit amerikan të Shtetit, do ta takojë në Lituani lideren opozitare bjelloruse.

Gjatë qëndrimit në Lituani, Beigun po ashtu do të takohet me ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të Lituanisë për të diskutuar për situatën në Bjellorusi, si dhe për çështje bilaterale, njoftoi Ministria e Jashtme e Lituanisë.

Më vonë gjatë javës së ardhshme, zëvendëssekretari amerikan do të qëndrojë edhe në Rusi.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov tha për Interfax se gjatë takimeve në Moskë, nuk do të bisedohet vetëm për situatën në Bjellorusi.

“Ne do të kemi diskutime për shumë gjëra që lidhen me raportet ruso-amerikane në shumë aspekte”, tha ai.

Në Bjellorusi po mbahen protesta masive, për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, ku Alyaksandr Lukashenka u tha se fitoi mbi 80 për qind të votave.

Tsikhanouskaya, 37 vjeçe, pas zgjedhjeve u largua për në Lituani. Ajo dhe protestuesit thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin zgjedhor.

Tsikhanouskaya gjatë kësaj kohe ka thënë se ka biseduar me shumë liderë ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Britania dhe Gjermania. Siç është shprehur Tsikhanouskaya, në këto bisedime ajo ka kërkuar nga liderët që të mbështesin popullin e Bjellorusisë dhe të respektojnë sovranitetin e këtij vendi.

Bashkimi Evropian po ashtu ka thënë se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, për shkak të parregullsive gjatë procesit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG