Ndërlidhjet

Irani jep detaje lidhur me rrëzimin e avionit ukrainas


Pjesë të avionit ukrainas të rrëzuar gjatë muajit janar në Teheran të Iranit.

Irani thotë se analizat nga kutitë e zeza të avionit ukrainas të pasagjerëve, tregojnë se ai u godit nga dy raketa – me një diferencë kohore prej 25 sekondash nga goditja e parë dhe e dytë – dhe se personat që ishin në bordin e këtij avioni, ishin ende gjallë pas goditjes së raketës së parë.

Ky njoftim i bërë nga Organizata për Aviacion Civil i Iranit është raporti i parë zyrtar që tregon për të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza, që kanë incizuar bisedat e bëra në kabinën e pilotëve dhe incizime të tjera.

Kutitë e zeza të këtij avioni, në korrik, u dërguan në Francë për analizim.

Teherani thotë se e ka goditur me raketa gabimisht avionin ukrainas gjatë muajit janar. Të 176 personat që ishin në bordin e këtij avioni pasagjerësh u vranë.

“Nëntëmbëdhjetë sekonda pasi raketa e parë qëlloni aeroplanin, zërat e pilotëve brenda kabinës së pilotëve, lënë të kuptohet se pasagjerët ishin gjallë.. 25 sekonda më pas, raketa e dytë goditi avionin”, citohet të ketë thënë Touraj Dehghani-Zanganeh.

Irani ka qenë në bisedime me Ukrainën, Kanadanë dhe shtete të tjera, qytetarët e së cilëve u vranënga rrëzimi i këtij avioni, dhe të cilët kanë kërkuar hetime për këtë incident.

“Të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza nuk duhet të politizohen”, tha Zanganeh.

Garda Revolucionare e Iranit rrëzoi avionin ukrainas më 8 janar, pak kohë pasi ishte nisur nga një aeroport në Teheran. Irani ka thënë se rrëzimi i këtij avioni ka qenë një gabim, pasi në atë kohë, forcat iraniane ishin në gatishmëri të lartë, për shkak të rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët iranianë dhe ukrainas kanë biseduar rreth kompensimit të familjeve të viktimave. Për këtë çështje ata pritet që të bisedojnë edhe gjatë muajit tetor.

XS
SM
MD
LG