Ndërlidhjet

Hungaria mbyll kufijtë më 1 shtator


Ilustrim.

Hungaria do të mbyllë kufijtë për të huajt më 1 shtator, për të ndalur rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus, derisa hungarezët që kthehen nga vendet tjera duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës, ka thënë, Gergely Gulyas, shef i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban të premten.

Gulys ka thënë se shtetasit hungarezë mund të largohen nga karantina 14-ditore vetëm nëse ofrojnë dy teste negative për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Përjashtime për ndalim të hyrjes do të ketë për personelin ushtarak, udhëtimet humanitare si transit, si dhe udhëtimet diplomatike.

Gulyas ka thënë se qeveria është duke konsideruar një varg masash sesi do të lejohen tifozët që të marrin pjesë në ndeshjen e futbollit në mes të Bayern Munich dhe Sevillas në Budapest më 24 shtator.

“Numri i të infektuarve është rritur dhe shumica prej tyre vijnë nga shtete e huaja”, ka thënë Gulyas përmes një konference për media.

Ai ka thënë se kufizimet janë të domosdoshme, në mënyrë që fëmijët të kthehen në shkollë javën e ardhshme, si dhe për mbrojtje të njerëzve dhe ekonomisë.

Të premten, Hungaria ka regjistruar 132 raste të reja të të infektuarve, njeherësh numrin më të madh prej pikut të pandemisë.

Hungaria ka në total 5,511 raste të infektimit dhe 614 viktima me këtë virus.

XS
SM
MD
LG