Ndërlidhjet

Përfundon testi i maturës, evidentohen parregullsi të vogla


Ilustrim
Ilustrim

Rreth, 26.669 maturantë i janë nënshtruar testit të maturës, i cili është mbajtur të shtunën në Kosovë.

Testi i maturës është organizuar në 184 qendra të testimit, në 30 komuna. Për mbarëvajtjen e procesit thuhet se kanë qenë të angazhuar 2.568 administrues, 570 komisionarë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër.

Komisioni shtetëror për testin e maturës, mbarëvajtjen e këtij procesi e ka konsideruar si të suksesshëm.

"Përveç disa parregullsive të vogla, mbarëvajtja e procesit të testimit ka shkuar mirë", tha Gëzim Berisha nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, testi i maturës është organizuar duke respektuar masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë, ku në secilën klasë numri maksimal i nxënësve ka qenë 12.

Në provimin shtetëror, pavarësisht masave të rrepta që thuhet se ndërmori Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nxënësit arritën të kopjojnë mes vete, të përdorin telefonat e madje testi u shpërnda edhe nëpër rrjete sociale.

Zyrtarët e MASHT-it, thanë se disa nga testet e publikuara në rrjete sociale kanë qenë të rreme, por një pjesë e testeve aktuale, sipas tyre, janë shpërndarë një orë pas fillimit të testit dhe jashtë objekteve shkollore.

Provimit Shtetëror të Maturës çdo vit i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, të arsimit të lartë. Përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet. Në rastet kur provimi shtetëror nuk kalohet, atyre iu pamundësohet regjistrimi në universitet.

XS
SM
MD
LG