Ndërlidhjet

Vuçiq: Bisedë e shkëlqyeshme me Merkelin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel - foto arkivi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel - foto arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedoi përmes telefonit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ndërsa në llogarinë e tij në Instagram tha se biseda ka qenë “e shkëlqyeshme”.

“I jam falënderues kancelares gjermane për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe politik të Serbisë dhe mirëkuptimit të saj për pozicionin tonë të vështirë rajonal politik”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Vuçiq dhe Merkel biseduan në pauzë të Forumit të Bledit, i cili po mbahet me temën “Evropa pas Brexit-it dhe COVID-19”.

Përpara kësaj bisede, Vuçiq ka paralajmëruar se tema më e rëndësishme me kancelaren Merkel do të jetë Kosova dhe takimet e ardhshme midis Prishtinës dhe Beogradit në Uashington dhe Bruksel.

Në Bled, Vuçiq u takua me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak tha se ka pasur një takim thelbësor me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shpreha gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta bërë dialogun më dinamik”, tha Lajçak.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Tre ditë më vonë, ata do të takohen edhe në Bruksel.

XS
SM
MD
LG