Ndërlidhjet

Viktimat nga koronavirusi në Kosovë, të moshës 30-50 vjeç


Qendra Klinike Universitare e Kosov

Në dy javët e fundit në Kosovë kanë vdekur 123 persona nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Viktimat që kanë humbur jetën në Kosovë, kryesisht janë të moshës 30 deri në 50 vjeçare, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit. Ai shton se ndonëse kushtet në mjekimin intensiv brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të mira, numri i vdekjeve po vazhdon të jetë i lartë.

Kosovo - The scale of the number of victims from COVID-19
Kosovo - The scale of the number of victims from COVID-19

Shumica e pacientëve që janë të infektuar me koronavirusin e ri, e kanë të domosdoshme marrjen e oksigjenit. E rastet e rënda kanë nevojë për respiratorë, me çka merren kryesisht anesteziologët.

Baftiu thotë se shumica e pacientëve brenda mjekimit intensiv qendror, e që janë me COVID-19, po vdesin nga mpiksja e gjakut në tru ose mushkëri.

"Mjekimi intensiv qendror i plotëson të gjitha kushtet për trajtimin e pacientëve. Mendoj se arsyeja e vdekjes së pacientëve është mungesa e shkëmbimit të gazrave në alveola dhe trombozat, e që po i shkakton sëmundja e COVID-19. Faturimi i oksigjenit po rregullohet gjatë trajtimit, por trombi që po e shkakton sëmundja e COVID-19, po i bllokon enët e gjakut dhe po e vë jashtë funksionit trunin ose mushkëritë. Mosha mesatare e vdekjeve, e që unë i kam nxjerrë brenda klinikës, është 30 deri në 50", tha Baftiu.

Aktualisht, në Klinikën Infektive janë të shtrirë rreth 59 pacientë, prej tyre 32 me oksigjeno- terapi.

Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Berisha, thotë se pacientët po shtrihen me vonesë në spital dhe se kjo po e vështirëson edhe punën e stafit mjekësor.

Sipas saj, pacientët me COVID-19 për disa ditë po tentojnë të trajtohen në shtëpi, derisa në klinikë po lajmërohen në stade të avancuara të sëmundjes.

"Tek ne po vinë format e rënda të sëmundjes. Unë po e krahasoj gjendjen me muajin mars kur u paraqiten rastet e para me koronavirus. Ata pacientë prej ditës së parë kanë filluar trajtimin. Tash po ndodh e kundërta, po vinë në ditën e 5 ose 6 dhe po u komplikohet gjendja. Por, megjithatë nuk është kjo arsyeja e vdekjes, sepse nuk kemi bërë ndonjë analizë, që të dihet saktë se a ka pasur sëmundje shoqëruese", tha Berisha.

Që nga fillimi i pandemisë, në muajin mars, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 13.601 raste të të infektuarve, prej tyre 533 kanë vdekur ndërsa 9.792 janë shëruar.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, numri i të hospitalizuarve ka nisur të bie, derisa rrjedhimisht thonë se do të ulet edhe numri i të vdekurve.

"Para një kohe shifra të këtilla të vdekjeve ka pasur Maqedonia, e tash ka edhe Kosova, por edhe shtete tjera si Rumania, Bosnja e Hercegovina, madje edhe disa vende të Evropës.

Në Kosovë numri i vdekjeve tani është pasojë e infektimeve të shumta në muajt qershor, korrik e gusht dhe numrit të madh të rasteve që kanë kërkuar trajtim spitalor ku numri ditor i pacientëve ka shkuar deri në 650".

"Është menduar më parë se duke pasur popullatë të re Kosova, dhe ky mund të jetë një lloj avantazhi në përballimin e COVID-19, por praktika po tregon se pikërisht moshat e reja dhe të mesme 20 deri në 49 janë shpërndarësit më të mëdhenj të virusit për shkak të mobilitetit dhe aktivitetetit më të shprehur që kanë. Pra, nuk është mosha e re avantazh për të përballuar më lehtë pandeminë’’, thuhet në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, deklaroi të martën se Kosova me shkallën e vdekshmërisë “mbetet ‘prapa’ shteteve të zhvilluara të perendimit, me dy, tri deri katër herë me shkallën më të vogël të vdekshmërinë së rasteve me COVID-19”.

Gjatë dy javëve të fundit në Maqedoninë Veriore kanë vdekur 36 persona nga COVID-19, në Bosnje e Hercegovinë 129, kurse në Serbi 36.

XS
SM
MD
LG