Ndërlidhjet

Gratë bjelloruse u bashkohen protestave pas arrestimit të dhjetëra studentëve


Protestat në Bjellorusi.

Qindra gra protestuan në mënyrë paqësore në qendër të Minskut, pasi më parë forcat e sigurisë arrestuan dhjetëra studentë universitarë të cilët iu përgjigjen një thirrjeje nga opozita e Bjellorusisë për një grevë mbarëkombëtare në ditën e parë të vitit shkollor.

Disa qindra gra u mblodhën pranë Rrugës së Pavarësisë në kryeqytetin Minsk.

Gratë kanë marrë një rol drejtues në më shumë se tre javë protesta kundër sundimit të presidentit, Alyaksandr Lukashenka, shpesh duke formuar kordone për të mbrojtur burrat nga arrestimi.

Më 1 shtator, studentët që mbanin flamuj të opozitës u mblodhën para universiteteve dhe u dyndën më pas në qendër të Minskut.

"1 Shtatori është një ditë e dijes. Bashkohuni në këtë grevë njëditore, mbështesni punëtorët dhe tregojini qeverisë kush është burimi i vërtetë i pushtetit", tha në një deklaratë ekipi i udhëheqëses së opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Të paktën 55 njerëz u arrestuan ndërsa policia shpërndau protestuesit në disa vende, sipas grupit të të drejtave të njeriut Vyasna. Një video e postuar në mediat sociale tregoi policinë të veshur me të zeza duke i tërhequr me forcë studentët.

Vala e zemërimit në Bjellorusi është ngjallur qëkur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, me 10.12 për qind.

Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, thotë se nëse votat do të numëroheshin siç duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

Zgjedhjet janë mbajtur më 9 gusht.

XS
SM
MD
LG