Ndërlidhjet

Gjermania gjen agjent nervor Noviçok në mostrat e Navalnyt


Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny.
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny.

Qeveria gjermane ka thënë se testet e kryera nga mostrat e marra prej liderit opozitar, Aleksei Navalny, kanë treguar prezencë të agjentit nervor, Noviçok.

Navalny, politikan dhe hulumtues i korrupsionit, njëherësh një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, është sëmurë më 20 gusht gjatë një udhëtimi me aeroplan, derisa ka qenë duke udhëtuar nga Siberia në Moskë.

Aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente, në mënyrë që Navalny të dërgohet në spital.

Pas spitalit siberian, ai më vonë është transferuar në një spital në Berlin, ku mjekët javën e kaluar kanë thënë se ka mundësi që Navalny është helmuar.

Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel ka thënë të mërkurën se testimet e kryera në spitalin ushtarak gjerman kanë treguar shenja “të një agjenti nervor nga grupi Noviçok”.

Ekipi i Navalnyt dyshon se ai është helmuar përmes një çaji që ka pirë në aeroport, përpara se të nisej drejt Moskës.

Zyra e Jashtme gjermane ka thënë se do të informojë ambasadorin rus në Berlin për këtë rezultat si dhe i ka kërkuar Moskës që të përgjigjet për këtë çështje.

“Është ngjarje shokuese që Aleksei Navalny ka qenë viktimë e një sulmi me agjent nervor kimik në Rusi. Qeveria federale gjermane dënon këtë akt në shkallën më të lartë. Qeverisë ruse i bëhet thirrje që të sqarojë këtë incident”, ka thënë Seibert përmes një deklarate.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov nuk ka komentuar të gjeturat e mjekëve gjermanë, duke thënë se qeveria ruse ende nuk është informuar zyrtarisht.

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar të mërkurën atë që e ka cilësuar helmim “të turpshëm dhe frikacak” të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Ajo ka thënë se ata që janë përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë, pasi Gjermania ka njoftuar se ekspertët e armëve kimike kanë ardhur në përfundim se Navalny është helmuar me agjent nervor, Noviçok.

“Jam informuar nga kancelarja (Angela) Merkel se lideri opozitar rus, Navalny është sulmuar me agjent nervor në shtetin e tij”, ka thënë von del Leyen.

“Ky është akt i turpshëm dhe frikacak- edhe një herë. Kriminelët duhet të përballen me drejtësinë”, ka shtuar ajo.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka thënë se blloku ka dënuar helmimet “në shkallën më të fuqishme”.

“Përdorimi i armëve kimike nën çfarëdo kushte është plotësisht i papranueshëm dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Borrell, duke bërë thirrje që Moska të hetojë incidentin “në mënyrë të thuktë dhe transparente”.

“Rasti i Alekei Navalnyt nuk duhet të mbetet i pazgjidhur. Ata që janë përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Navalny nuk është kritiku i vetëm që është sëmurë nga një substancë toksike.

Aktivisti Pyotr Verzilov ishte dërguar nga Moska në Gjermani në shtator të vitit 2018 për shërim, pasi ishte helmuar me një agjent që i kishte prekur nervat.

Helmimi i Verzilovit ka ardhur disa muaj pasi ish-agjenti i dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia ishin gjetur pa ndjenja në një park në qytetin britanik, Sallsbëri.

Hetimet britanike kanë treguar që Skripalët janë helmuar me agjent nervor Noviçok, derisa kanë pretenduar se sulmi është kryer nga agjentët shtetërorë rusë.

Aleksandr Litvinentko, ish-agjent i shërbimit të sigurisë në Rusi, i cili pati dezertuar në Britani dhe ishte kthyer në kritik të ashpër të Kremlinit, ka vdekur në nëntor të vitit 2006, pasi ishte helmuar me një substancë të rrallë radioaktive, polonium-210.

Çfarë është Noviçoku?

Noviçok është pjesë e një grupi të agjentësh të avancuar, që është zhvilluar nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitet 1970, 1980.

Agjentët e tillë kanë efekte të ngjashme sikurse agjentët tjerë – bllokojnë sinjalet prej nervave në muskuj, duke shkaktuar dështim të shumë funksioneve trupore.

Agjentët noviçokë janë krijuar për më qenë më toksikë sesa armët kimike, andaj disa versione të tyre kanë efekt të menjëhershëm – nga 30 deri në dy minuta.

XS
SM
MD
LG