Ndërlidhjet

Më 28 shtator, takimi i rradhës Kosovë-Serbi në Bruksel


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti si dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti si dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmuan të hënën në Bruksel se kanë përafruar qëndrimet e tyre për çështjen e të zhvendosurve dhe të zhdukurve si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, liderët kanë thënë se në kuadër të këtij dialogu janë hapur edhe dy tema: asosacioni i komunave dhe çështja e zgjidhjes së kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Kryeministri Hoti tha se në Bruksel ka marrë pjesë vetëm për drafitimin e një marrëveshjeje finale, e cila sipas tij duhet të përfshijë njohjen reciproke.

“Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, si shtet që jemi të gatshëm të lëvizim përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

“Unë me kënaqësi them se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale mes të dy shteteve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohjen reciproke”, shtoi ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në kuadër të dialogut tani po trajtohen çështje të vështira dhe palët kishin pikëpamje të ndryshme. Kjo sipas tij, bën që bisedimet të jenë më të komplikuara dhe më të vështira.

"Sidoqoftë, unë nuk jam i pakënaqur me takimin e sotëm", tha ai.

Vuçiq tha se në takimin e së hënës, ishte pala serbe ajo që hapi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë temë do të diskutohet edhe në raundin e ri të bisedimeve.

Presidenti serb deklaroi se për temën e “personave të zhvendosur brenda vendit dhe personave të zhdukur” u diskutua mundësia e inspektimit të të gjitha arkivave, në mënyrë që të hetohet vendndodhja e eshtrave të 1,000 shqiptarëve dhe rreth 530 serbëve, të cilët konsiderohen si të zhdukur.

"Ne kemi rënë dakord për një mekanizëm për përcaktimin e regjistrave të personave të zhvendosur dhe personave të zhdukur dhe qasjen në të gjitha arkivat. Prishtina do të miratojë një ligj mbi kthimin e personave të zhvendosur, i cili është një hap i rëndësishëm, megjithëse ne mbetemi të rezervuar për rezultatet në praktikë", paralajmëroi Presidenti i Serbisë.

Vuçiq tha se sapo të formohen Qeveria e re serbe, ai do të paraqesë para kuvendit temën e Kosovës.

"Sapo të formohet një qeveri e re dhe kuvendi të fillojë të punojë me kapacitet të plotë, ne do të paraqesim para Kuvendit temën e Kosovës. Ne e kemi pasur atë në parlament 5-6 muaj më parë, por ne duam që të gjithë ata që marrin pjesë në bisedime t'i paraqesin kuvendit se çfarë po diskutohet”, tha Vuçiq.

Para fillimit të bisedimeve, Hoti dhe Vuçiq, janë zotuan se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja.

“Ata gjithashtu u zotuan se do t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtimin e mëtejshëm krah BE-së, në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Më herët, Borrell, në një deklaratë që është shpërndarë nga zyra e tij, ka paralajmëruar se sot në dialog do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Takimi i rradhës mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet më 28 shtator.

XS
SM
MD
LG