Ndërlidhjet

SHBA i kërkon Ukrainës t’i hetojë krimet kundër gazetarëve


Gazetari i vrarë ukrainas, Heorhiy Honhadze.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë i bëri thirrje Kievit që t’i hetojë të gjitha krimet kundër gazetarëve.

Ukraina shënoi të mërkurën 20-vjetorin e ditës kur gazetari i shquar, Heorhiy Gongadze, është zhdukur dhe më vonë është gjetur i vdekur.

"Sot, ne përkujtojmë Heorhiy Gongadzen, një gazetar i guximshëm, i cili është vrarë në kërkim të së vërtetës. Asnjë anëtar i shtypit nuk duhet të kërcënohet, sulmohet ose arrestohet për punën e tij ose të saj. Krimet ndaj gazetarëve duhet të hetohen plotësisht dhe menjëherë, në mënyrë që kryesit e tyre të mbahen përgjegjës. Mediat e pavarura janë një pjesë e rëndësishme e demokracive të suksesshme", thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Ukrainë.

Gongadze, i cili ka ekspozuar korrupsionin e nivelit të lartë politik, është rrëmbyer më 16 shtator të vitit 2000.

Trupi i tij i prerë është gjetur më vonë në një pyll, jashtë kryeqytetit ukrainas.

Presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Leonid Kuchma, është akuzuar për përfshirje në vrasje, bazuar në disa audio-regjistrime të bëra fshehurazi në zyrën e tij.

Prokurorët e kanë akuzuar Kuchmën në vitin 2011, por një gjykatë më vonë i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij.

Në vitin 2008, tre ish-oficerë policorë janë dënuar me burgime të gjata për vrasjen e Gongadzes.

Pastaj, në vitin 2012, ish-zyrtari i lartë i policisë, gjenerali Oleksiy Pukach, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gongadzes.

Hetuesit kanë thënë atëbotë se ish-ministri i Brendshëm, Yuriy Kravchenko - i cili është gjetur i vdekur në banesën e tij afër Kievit, më 2005, dhe vdekja e të cilit është cilësuar si vetëvrasje - ka urdhëruar vrasjen e Gongadzes.

Familjarët e Gongadzes, megjithatë, kanë thënë se besojnë se autorët e vërtetë të krimit nuk janë identifikuar ende.

XS
SM
MD
LG