Ndërlidhjet

Vdes gjykatësja Ginsburg - zëri i të drejtave të grave në SHBA


Lule dhe mbishkrime të vendosura nga mbështetësit e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg, pas vdekjes së saj.
Lule dhe mbishkrime të vendosura nga mbështetësit e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg, pas vdekjes së saj.

Ruth Bader Ginsburg u bë heroinë e majtistëve amerikanë, pasi kapërceu seksizmin duke u ngjitur në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara, ku për 27 vite në detyrë trajtoi kauza të barazisë gjinore dhe liberale.

Gjykatësja Ginsburg, ndërroi jetë të premtën në moshën 87 vjeçare, pas përballjes me kancerin. Ajo ishte mbrojtëse e të drejtave të grave dhe gjatë punës së saj kishte fituar raste të mëdha të diskriminimit gjinor para Gjykatës Supreme në SHBA, para se të emërohej në detyrë nga presidenti Bill Clinton më 1993.

Duke u ngritur nga një familje e klasës punëtore në lagjen Brooklyn të Nju Jorkut, Ginsburg kapërceu armiqësinë ndaj grave në botën e shkollës juridike të mbizotëruar nga meshkujt dhe profesionin e avokatit, për t'u bërë gruaja e dytë që ka shërbyer në Gjykatën Supreme me nëntë anëtarë.

Gjatë viteve të fundit në detyrë ajo u shndërrua në një lloj ikone të liberalëve amerikanë, duke u bërë subjekt i filmave e dokumentareve.

"Nuk kërkoj asnjë favor për gjininë time. Vetëm kërkoj që të na largojnë këmbën nga qafa”, kishte thënë Ginsburg në një dokumentar ku flitej për punën e saj në luftimin e barazisë gjinore.

Ruth Bader Ginsburg
Ruth Bader Ginsburg

Ginsburg ishte një votë e besueshme në favor të kauzave liberale në gjykatë për çështje ku përfshihej mbrojtja e të drejtave të abortit, zgjerimi i të drejtave të homoseksualëve, ruajtjen e ligjit të kujdesit shëndetësor Obamacare dhe avancimin e të drejtave të pakicave racore, të varfërve.

Vdekja e saj i jep presidentit Republikan Donald Trump mundësinë për të bërë emërimin e tij të tretë në gjykatë dhe për të zgjeruar shumicën e tij konservatore në 6-3.

Ginsburg kishte përjetuar një sërë probleme shëndetësore. Në korrik ajo zbuloi se kishte një përsëritje të kancerit pas periudhave me kancer të pankreasit në 2019 dhe 2009. Ajo gjithashtu mbijetoi periudha me kancer të mushkërive në 2018 dhe kancer të zorrës së trashë në 1999.

Presidenti Jimmy Carter e bëri Ginsburg gjyqtare federale të Apelit më 1980 dhe Clinton e ngriti atë në Gjykatën e Lartë 13 vjet më vonë. Ajo u bashkua me Sandra Day O'Connor, e cila ishte gruaja e parë që u fut në sistemin e drejtësisë më 1981, në stol. Gjatë mandatit të saj, dy gra të tjera u emëruan në Gjykatën Supreme: Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan.

Kur u pyet se sa gra duhet të kishte në gjykatë, Ginsburg, me një buzëqeshje, gjithmonë dha të njëjtën përgjigje: "Nëntë".

Anëtarët e Gjykatës Supreme në SHBA
Anëtarët e Gjykatës Supreme në SHBA

Instituti Ushtarak i Virxhinias

Në vitin 2010, pas pensionimit të shumë liberalëve të vjetër, ajo u bë udhëheqëse e krahut liberal të gjykatës.

Verdikti më i njohur i Ginsburg ndodhi më 1996 kur gjykata bëri të pavlefshme përjashtimin e grave nga Instituti Ushtarak Virxhinia i drejtuar nga shteti. Duke interpretuar garancinë e barazisë me Kushtetutë, Ginsburg tha se ndërsa Virxhinia "u shërben bijve të shtetit, ajo nuk bën asnjë parashikim për vajzat e saj. Kjo nuk është mbrojtje e barabartë".

Në vitin 2018, Ginsburg shprehu mbështetje për lëvizjen #MeToo, e cila përfaqësonte gratë që kishin duruar sulme apo ngacmime seksuale, në prag të një seance dëgjimore të Senatit për akuzat e sjelljes së keqe seksuale nga i nominuari i Trumpit në gjykatë, Brett Kavanaugh.

Para përfundimit të mandatit të saj, ajo shënoi sukses në legalizimin e martesave të të njëjtit seks në të gjithë vendin, si dhe heqjen e kufizimeve të abortit në Luiziana dhe Teksas.

Kush ishte Ruth Bader?

Ruth Bader lindi në Brooklyn më 15 mars 1933, nga Nathan Bader, një shitës shtëpiak dhe Celia, një shtëpiake. Ajo ndoqi Universitetin Cornell, ku edhe u takua me Martin Ginsburg, me të cilin u martua në 1954. Të dy më vonë u regjistruan në Shkollën e Drejtësisë në Harvard.

Ruth u kujdes për vajzën e tyre të vogël, Jane, e lindur në 1995. Ginsburg bëri një fëmijë të dytë, James, më 1965. Martin Ginsburg vdiq në 2010.

Ajo përfundoi studimet e saj juridike në Columbia më 1959, por kishte probleme për të gjetur një punë.

Më 1972, Ginsburg u bë profesoresha e parë grua e punësuar në shkollën juridike të Columbias dhe ndihmoi në krijimin e Projektit për të Drejtat e Grave të Unionit Amerikan të Lirive Civile.

Ginsburg, pas përzgjedhjes nga Senati për Gjykatën Supreme, u bë anëtarja e parë hebreje e këtij institucioni ligjvënës.

Përgatiti: Flandra Marmullaku

XS
SM
MD
LG