Ndërlidhjet

Malala: Arsimimi i vajzave afgane duhet të jetë i pakompromis


Malala Yousafzai.

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, thotë se në negociatat e paqes për Afganistanin "nuk duhet të ketë asnjë kompromis" për të drejtën e arsimimit të vajzave afgane.

Në një intervistë për Shërbimin e Pakistanit të Radios Evropa e Lirë, Yousafzai tha se populli i Afganistanit ka vuajtur për katër dekada në luftë dhe se "paqja është e çmuar" për afganët.

Malala, të cilës iu nda Çmimi Nobel për Paqen më 2014 për fushatën e saj në mbështetje të arsimimit të vajzave, theksoi se liritë e grave dhe të drejtat e njeriut nuk duhet të minohen në asnjë proces paqeje.

“Ne të gjithë shpresojmë që paqja të vijë në këtë botë në mënyrë që njerëzit të kenë jetën e tyre normale. Por, është shumë e nevojshme që qeveria afgane dhe talibanët të dëgjojnë zërat e shoqërisë civile dhe grave dhe nuk duhet të ketë kompromis mbi arsimin e vajzave dhe të drejtat e njeriut sepse paqja nuk mund të rikthehet pa të drejtat e njeriut", tha Yousafzai, e cila ishte qëlluar në kokë nga një militant taliban derisa ajo ishte duke shkuar për në shkollë në vendlindjen e saj, në veriperëndim të Pakistanit.


Të drejtat e grave janë një nga çështjet më të vështira në bisedimet e paqes mes talibanëve dhe qeverisë afgane, të cilat po mbahen me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Negociatat kanë filluar më 12 shtator.

Gjatë administrimit të shkurtër në Afganistan, talibanët ndaluan gratë të shkonin në shkollë dhe të punonin jashtë shtëpive të tyre, ndërsa gjithashtu zbatuan brutalisht një kod të rreptë të veshjes.

Shumë aktivistë afganë kanë frikë se të drejtat e grave mund të jenë një viktimë e negociatave të paqes megjithë premtimet e fundit nga zyrtarët talibanë se ata do të respektojnë të drejtat e grave sipas ligjit Islam.

Që nga rrëzimi nga pushteti i talibanëve më 2001, miliona vajza afgane kanë shkuar në shkolla dhe gratë gëzojnë të drejtën për të punuar dhe për të marrë pjesë në politikë

XS
SM
MD
LG