Ndërlidhjet

Trump nominon Amy Coney Barrett për gjyqtare në Gjykatën Supreme


Presidenti Donald Trump dhe gjyqtarja Amy Coney Barrett.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nominuar Amy Coney Barrett, për gjyqtare në Gjykatën Supreme.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump e përshkroi Amy Coney Barrett si “grua me arritje të pashembullt”.

Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, gjyqtarja konservatore Barrett do të zëvendësonte në Gjykatën Supreme gjyqtaren liberale, Ruth Bader Ginsburg, që vdiq nga kanceri më 18 shtator.

Nominimi i Barrett vjen pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe pritet që në Senat të zhvillohet një betejë mes demokratëve dhe republikanëve për emërimin e saj.

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme nominohen nga presidenti amerikan, por duhet të marrin miratimin e Senatit.

Presidenti amerikan tha se gjyqtarja Barrett ka “besnikëri të paepur ndaj Kushtetutës”.

Nëse gjyqtarja Barrett merr miratimin nga Senati, atëherë në Gjykatën Supreme do të kishte shumicë të gjyqtarëve konservatorë.

Nëse zgjidhet, Barrett, 48-vjeçare, do të bëhej pjesëtarja e tretë e kësaj gjykate që është emëruar nga presidenti republikan, Trump, pasi ai emëroi Neil Gorsuch më 2017 dhe Brett Kavanaugh më 2018.

Gjykata Supreme ka nëntë gjyqtarë të cilët shërbejnë tërë jetën. Ky institucion i drejtësisë merr vendime të rëndësishme për çështje të ndryshme, përfshirë për të drejtat e abortit, kujdesin shëndetësor, ligjet e armëve, lirinë fetare, migracionin dhe lirinë e shprehjes.

XS
SM
MD
LG