Ndërlidhjet

Përshkallëzohen luftimet Azerbajxhan-Armeni për Nagorno Karabakun


Kjo fotografi tregon pasojat e bombardimeve të fundit gjatë luftimeve të vazhdueshme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut, në qytetin kryesor të rajonit të diskutueshëm Stepanakert, më 4 tetor 2020.
Kjo fotografi tregon pasojat e bombardimeve të fundit gjatë luftimeve të vazhdueshme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut, në qytetin kryesor të rajonit të diskutueshëm Stepanakert, më 4 tetor 2020.

Forcat azerbajxhanase dhe armene u përfshinë në luftime të ashpra mbi territorin e kontestueshëm të Nagorno Karabakut, më 4 tetor.

Luftimet ndodhën në kryeqytetin e rajonit të shkëputur dhe qytetet e Azerbajxhanit, të cilat u goditën me raketa.

Luftimet e fundit shënojnë përshkallëzimin më të keq në këtë konflikt.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shënjestrimin e civilëve gjatë konfliktit, derisa nuk po tregojnë shenja të një ndaljeje të mundshme të luftimeve.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar më 4 tetor dënoi, siç tha "bombardimet pa kriter dhe sulmet tjera të pretenduara të paligjshme përmes përdorimit të armëve në qytete dhe zona të tjera të populluara".

Më shumë se 200 njerëz janë vrarë, përfshirë shumë civilë, që kur shpërthyen luftimet javën e kaluar.

Numri i vërtetë i viktimave besohet të jetë më i lartë pasi Azerbajxhani nuk ka publikuar humbjet e tij.

Luftimet e fundit shënojnë përshkallëzimin më të madh të konfliktit disa dekadësh mbi rajonin, i cili është njohur ndërkombëtarisht si territor i Azerbajxhanit, por kontrollohet nga separatistët etnikë armenë me lidhje të ngushta me Jerevanin.

Forcat armene mbajnë gjithashtu kontrollin në shtatë rajone ngjitur me Nagorno Karabakun.

Autoritetet e Nagorno Karabakut, thanë më 4 tetor se kanë vazhduar për të tretën ditë me rradhë sulmet me raketa dhe artileri në kryeqytetin Stepanakert dhe qytetin afër - Shushit- duke plagosur një numër të paspecifikuar civilësh dhe duke dëmtuar infrastrukturën.

Civilët kërkojnë strehim nga predhat në konfliktin Armeni-Azerbajxhan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, tha se forcat armene sulmuan me raketa dhe artileri qytetin e dytë më të madh të vendit - Ganca .

Konflikti tashmë ka dalë përtej rajonit të diskutueshëm të Nagorno Karabakut.

Në mbrëmje, Azerbajxhani tha se tre raketa kishin shënjestruar qytetin e Mingacevir, i vendosur 100 kilometra nga vija e frontit. Në këtë qytet ndodhet një hidrocentral strategjik dhe diga më e madhe në rajonin e Kaukazit.

Autoritetet thanë se një raketë plagosi pesë civilë, ndërsa dy të tjera nuk shpërthyen.

Dy raketa tjera kishin shpërthyer afër kryeqytetit, Baku.

Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit, Zakir Hasanov tha se granatimet e territorit të Azerbajxhanit nga ana e Armenisë janë një provokim i hapur që zgjeron zonën e betejës.

Ai tha se Azerbajxhani mori "masa hakmarrëse".

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë mohoi pretendimet se janë sulmuar Ganca, Mingacevir ose qytete të tjera.

Por, udhëheqësi de fakto i Nagorno Karabakut, Arayik Harutiunian, tha se forcat e tij kishin shënjestruar një bazë ushtarake në Ganca dhe se ai më vonë urdhëroi ndalimin e sulmeve për të shmangur viktimat civile.

Ai tha se sulmi ishte "zjarr paralajmërues" dhe do të "vazhdonte për në qytete të tjera" si përgjigje ndaj ofensivës së Azerbajxhanit.

Azerbajxhani më 4 tetor pretendoi se kishte plagosur Harutiunian si hakmarrje për sulmin ndaj Ganca, njoftoi Shërbimi Azerbajxhanas i Radios Evropa e Lirë.

Hikmat Hajiyev, një ndihmës i presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se Harutiunian ishte fshehur në një bunker dhe ishte plagosur në një sulm të shënjestruar. Pretendimi nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Presidenti i Azerbajxhanit kërkoi që Armenia të vendosë një afat kohor për tërheqjen nga Nagorno Karabaku dhe territoret përreth Azerbajxhanit, duke thënë se Azerbajxhani nuk do të ndalë veprimet ushtarake derisa kjo të ndodhë.

Aliyev tha se forcat azerbajxhanase po përparonin përmes ofensivës një javore për të rimarrë territoret që ata humbën ndaj armenëve etnikë në vitet 1990. Ushtria e Azerbajxhanit thotë se ka rimarrë kontrollin e shtatë fshatrave që kur shpërthyen luftimet.

"Azerbajxhani ka një kusht, dhe ai është çlirimi i territoreve të tij," tha ai.

Turqia, e cila po mbështet hapur Azerbajxhanin në këtë konflikt, ka bërë kërkesa të ngjashme.

Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm pasi janë të shqetësuara se dhuna mund të shndërrohet në një luftë të plotë midis dyja vendeve.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia - bashkë-kryesuesit e të ashtuquajturit Grupi i Minskut që ka udhëhequr përpjekjet e paqes mbi Nagorno Karabakun që nga fillimi i viteve 1990 nën kujdesin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) - kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe rifillimin e negociatave.

Armenia ka thënë se është e gatshme të përfshihet në bisedime paqësore përmes OSBE-së.

Sidoqoftë, Olesya Vartanyan, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave i tha Radios Evropa e Lirë se, për momentin, konflikti duket se po intensifikohet dhe ka përfshirë edhe më shumë zona civile.

"Luftimet vazhdimisht përshkallëzohen me më shumë sulme [në] zona civile dhe po përdoren armë më të përparuara ", tha Vartanyan, duke shtuar se "përhapja e luftimeve në zonat larg vijës së frontit është ajo që ne do të vazhdojmë të shohim në ditët e ardhme".

Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë në një konflikt mbi rajonin malor që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ato zhvilluan një luftë që përfundoi më 1994 në të cilën rreth 30,000 persona u vranë dhe qindra mijëra të tjerë u zhvendosen.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG