Ndërlidhjet

Thaçi takon Lajçakun: Dialogu nuk ka alternativë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka pasur një “bisedë të shkëlqyeshme” me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Thaçi tha se dialogu “nuk ka alternativë” dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare”.

“Ne kemi nevojë për BE-në dhe BE-ja për neve. Duhet të veprojmë. Lajçak e ka mbështetjen time në këtë proces”, shkroi Thaçi në Twitter, pas takimit që zhvilloi të hënën në Bruksel.

Lajçak është emëruar përfaqësues i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, në fillim të prillit.

Paraprakisht, Thaçi ka deklaruar se “misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”, për shkak të angazhimit të Lajçakut, ish-ministër i Jashtëm sllovak, "për ta ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën".

Në muajin qershor, Thaçi dhe Lajçak janë takuar në Prishtinë.

Pozicioni i Kosovës, sa i përket dialogut me Serbinë, është që ai të përmbyllet me njohje reciproke, ka thënë Thaçi.

“Natyrisht që në këtë drejtim, ne do të punojmë ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara, që të lëvizim më shpejt, më mirë, drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë Thaçi më 16 qershor.

BE-ja e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë qysh në vitin 2011.

Muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë intensifikuar përfshirjen e tyre në proces, gjë që ka rezultuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator, në Uashington.

Në një postim në Facebook, Thaçi përsëriti të hënën se "roli i SHBA-së mbetet vendimtar edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke" midis Kosovës dhe Serbisë.

"Në këtë aspekt, ne gjithashtu i çmojmë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për arritjen e marrëveshjes finale", tha Thaçi.

XS
SM
MD
LG