Ndërlidhjet

Trump dëshiron tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në Krishtlindje


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai dëshiron tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri në Krishtlindje. Ky afat kohor është më i afërt sesa ai që ka propozuar më parë.

Mesazhi i Trumpit vjen katër javë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, ndërsa ai synon të mbajë premtimin e tij parazgjedhor të vitit 2016, për të përfunduar "luftërat e SHBA-së".

Angazhimi ushtarak amerikan në Afganistan filloi 19 vjet më parë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, dhe kjo është bërë lufta më e gjatë amerikane.

Vetëm disa orë para deklarimit të Trumpit, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien tha se në fillim të vitit të ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do të ulin numrin e trupave që kanë në Afganistan në 2,500.

Shtetet e Bashkuara më parë kanë njoftuar se numri i trupave do të ulet në rreth 4,000 deri në muajin e ardhshëm, por komentet e O'Brien ofruan më shumë detaje rreth ritmit të përgjithshëm të tërheqjes.

"Kur Presidenti Trump mori detyrën, kishte mbi 10,000 trupa amerikane në Afganistan. Sot, ka nën 5,000 dhe kjo do të shkojë në 2,500 deri në fillim të vitit të ardhshëm", tha O'Brien, duke folur në Universitetin e Nevadas në Las Vegas.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor dhe në bazë të sondazheve presidenti republikan aktualisht po pason rivalin e tij, Joe Biden, një demokrat dhe ish-nënpresident i SHBA-së.

Uashingtoni filloi tërheqjen e disa prej trupave të tij pasi nënshkroi një marrëveshje me talibanët më 29 shkurt.

Marrëveshja parashihte fillimin e negociatave mes talibanëve dhe qeverisë në Kabul për të arritur një marrëveshjeje të ndarjes së pushtetit dhe përfundimit të dhunës. Megjithatë, procesi negociator është përcjellur me ngecje.

Sipas marrëveshjes, forcat e huaja do të largohen nga Afganistani deri në maj të vitit 2021 në këmbim të garancive kundër terrorizmit nga talibanët.

Një armëpushim është një përparësi kryesore për zyrtarët afganë dhe diplomatët perëndimorë të cilët janë duke lehtësuar bisedimet në Katar.

"Në fund të fundit, vetë afganët do të duhet të hartojnë një marrëveshje, një marrëveshje paqeje", tha O'Brien.

Shumë ushtarë afganë dhe luftëtarë talibanë janë vrarë në përleshje dhe sulme vetëvrasëse që kanë lënë të vdekur dhjetëra civilë gjatë javëve të fundit.

XS
SM
MD
LG