Ndërlidhjet

Situatë e tensionuar në rajonin e Nagorno Karabakut


Rajoni i Nagorno Karabakut.

Situata në rajonin e Nagorno Karabakut vazhdon të jetë e tensionuar pas luftimeve të ashpra më 7 tetor mes forcave armene dhe azerbajxhanase.

Ndërkohë janë intensifikuar përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një armëpushim mes palëve.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë njoftoi se forcat separatiste të mbështetura nga armenët zmbrapsën një sulm herët më 8 tetor, duke shkaktuar viktima nga rradhët e forcave azerbajxhanase.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm ndaj deklaratës nga pala tjetër, por Ministria e Mbrojtjes në Baku tha se forcat armene kishin granatuar disa fshatra azerbajxhanase brenda natës, gjatë së cilave ka pasur edhe viktima.

Civilët kërkojnë strehim nga predhat në konfliktin Armeni-Azerbajxhan
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimin se një konflikt më i gjerë mund të tërheqë fuqinë rajonale Turqinë, e cila është aleati më i afërt i Azerbajxhanit dhe Rusinë, e cila ka një pakt mbrojtjeje me Armeninë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një intervistë për televizionin shtetëror më 7 tetor, bëri thirrje për një armëpushim urgjent.

"Sigurisht, kjo është një tragjedi e madhe. Njerëzit po vdesin, ka humbje të mëdha nga të dyja palët", tha Putin.

Azerbajxhani ka kërkuar që forcat armene të tërhiqen nga Nagorno Karabaku dhe territoret përreth Azerbajxhanit si një kusht për një armëpushim. Por, është gati e pamundur që Armenia të pranojë këto kushte.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha se përfaqësuesit rusë, francezë dhe amerikanë do të takohen në Moskë më 12 tetor, për të gjetur një mënyrë që palët ndërluftuese të negociojnë një armëpushim.

"Ne duam që të gjithë të kuptojnë se është në interesin e tyre të ndalojnë menjëherë luftimet pa kushte", i tha ai komitetit të punëve të jashtme të parlamentit francez më 7 tetor.

Nagarno Karabaku është i njohur ndërkombëtarisht si territor i Azerbajxhanit, por kontrollohet nga separatistët etnikë armenë me lidhje të ngushta me Jerevanin.

Forcat armene mbajnë kontrollin mbi shtatë rajone ngjitur me Nagorno Karabakun.

XS
SM
MD
LG