Ndërlidhjet

Ambasada e SHBA-së tërhiqet nga procesi i monitorimit në Këshillin Prokurorial


Flamuri i Shteteve të Bashkuara.
Flamuri i Shteteve të Bashkuara.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, nëpërmjet një deklarate, ka thënë se proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve, janë prishur në themel.

“Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe për të zgjedhur kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur në themel. Atyre u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Ambasada e SHBA-së thotë se më nuk do të marrë pjesë në këto procese, pasi “përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet në mënyrë të gabuar si një miratim i këtij sistemi të prishur".

“Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo në bazë të përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet në deklaratë.

Ambasada thekson se janë të nevojshme ndryshimet në kornizën ligjore që mbështet KPK-në për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi.

“Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështesin përpjekjet e ministrit të Drejtësisë për të përfunduar menjëherë rishikimin funksional”, thuhet në deklaratë.

Të enjten, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se është marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

Në të njëjtën ditë ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) për, siç ka thënë, praktikën e kundërligjshme të dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse.

IKD-ja thotë se në bazë të ligjit, “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngrihet në detyrë në sistemin prokurorial”.

Kjo praktikë, sipas kësaj organizate, paraqet mungesë të integritetit, politikë të rrezikshme për sistemin prokurorial dhe dëshmi për kapjen e sistemit prokurorial nga një numër i vogël i prokurorëve.

“Në këtë drejtim, IKD-ja thekson se nëse kandidatët që kanë dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KPK-së kandidojnë për kryeprokurorë të prokurorive prej nga vijnë, e aq më tepër nëse kandidatura e tyre lejohet nga KPK-ja, do të dëshmohet kapja praktike e sistemit prokurorial nga një grup i vogël brenda këtij sistemi”, thuhet në komunikatë.

XS
SM
MD
LG