Ndërlidhjet

BE paralajmëron se mund të sanksionojë Lukashenkën


Presidenti bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Bashkimi Evropian paralajmëroi se është i gatshëm të godasë me sanksione Alyaksandr Lukashenkën - udhëheqësin autokratik të Bjellorusisë - në përgjigje të zgjedhjeve “mashtruese” presidenciale dhe shtypjes “së dhunshme” të protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij.

Gjatë takimit në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të BE-së përsëritën se zgjedhjet e gushtit në Bjellorusi “nuk kanë qenë as të lira, as të drejta” dhe se Lukashenka "nuk ka asnjë legjitimitet demokratik".

Ministrat gjithashtu theksuan në një deklaratë "të drejtën demokratike të popullit bjellorus për të zgjedhur presidentin e tij, përmes zgjedhjeve të reja, të lira dhe të ndershme, pa ndërhyrje të jashtme", dënuan fuqishëm "shtypjen e vazhdueshme [të protestave]” dhe kërkuan lirimin e "të gjithë personave të ndaluar në mënyrë arbitrare".

Ditë më parë, BE-ja ka rënë dakord që t’iu ndalojë vizat dhe t’iu ngrijë pasurinë mbi 40 zyrtarëve bjellorusë për rolin e tyre të pretenduar në shtypjen e protestuesve dhe të opozitës, si dhe për mashtrime gjatë zgjedhjeve.

Lukashenka nuk është përfshirë në listën e sanksioneve, por ministrat e Jashtëm të BE-së theksuan gatishmërinë e bllokut për të marrë "masa të mëtejshme kufizuese kundër njësive dhe zyrtarëve të rangut të lartë, përfshirë [Lukashenkën], nëse situata nuk përmirësohet".

Lukashenka pretendon se i ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit - gjë që ka shkaktuar javë të tëra protestash në rrugë.

Më 11 tetor, mijëra njerëz morën pjesë në tubime në Minsk dhe gjetkë nëpër Bjellorusi, duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkës.

Sipas Ministrisë së Brendshme bjelloruse, 713 persona u arrestuan nga forcat e sigurisë gjatë protestave dhe 570 prej tyre mbeten në paraburgim.

XS
SM
MD
LG